Politike

“McGonigal”, dy kongresmenë letër FBI-së: Duam informacion ç’ka ndodhur

Gazeta Si – Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, të udhëhequr nga Partia Republikane, kërkon informacion nga FBI në lidhje me Charles McGonigal.

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit në zyrën në terren të byrosë në Nju Jork, u akuzua javën e kaluar për shkelje të sanksioneve të SHBA-së ndaj Rusisë dhe vepra të tjera të lidhura me to.

Kryetari i Komitetit Gjyqësor Jim Jordan, një republikan i Ohajos dhe deputeti Matt Gaetz, një republikan nga Florida, i shkruan një letër drejtorit të FBI-së, Chris Wray të enjten duke kërkuar materiale dhe informacione për McGonigal si pjesë e një hetimi mbi akuzat për paragjykime politike në byro, raporton CBS news.

Dy kongresmenët republikanë të Kongresit Amerikan

“Ju lutem siguroni informacion në lidhje me të dhënat personale të Charles McGonigal, duke përfshirë historikun e punës së tij, formularët e vlerësimit, sigurisë dhe dokumente të lidhura me to”, – thuhet në letër.

Ata kërkojnë detaje sa më shpejt të jetë e mundur, “jo më vonë se ora 17:00 e datës 16 Shkurt, 2023”, – shkruhet në letër.

Në një padi të ngritur nga një Gjykatë në Nju Jork, ish-agjenti special i FBI-së, është akuzuar për pastrim parash, shkelje të sanksioneve të SHBA-ve dhe vepra të tjera të lidhura me punën e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Edhe në Shqipëri, çështja është shndërruar në një kalë beteje nga opozita, e cila i ka kërkuar shpjegime kryeministrit Rama për takimet e tij me MCGonigal. Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për këtë çështje.

Në aktakuzën e ngritur në Uashington për dosjen hetimore, thuhet se McGonigal shoqërohej nga ish-spiuni shqiptar Agron Neza kur u takua fshehurazi me kryeministrin shqiptar Edi Rama në shtator 2017, ku i dha Ramës pajisje të FBI-së dhe i ofroi këshilla për licencat fitimprurëse të shpimit të naftës.

McGonigal akuzohet gjithashtu se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi të vitit 2017 në Shqipëri me ish-zyrtarin e inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i ka dhënë të paktën 225,000 dollarë në tre pagesa të veçanta në para.

Pasi arriti atje, sipas Departamentit të Drejtësisë, McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë dhe kërkoi kujdes në dhënien e licencave të shpimit të fushës së naftës në vend për kompanitë ruse.

Pas arrestimit të shtunën e shkuar në Nju Jork, McGonigal u la i lirë dy ditë më pas, pasi pagoi një shumë dollarësh për t’u hetuar në gjendje të lirë. Ai nuk i pranoi akuzat, duke e cilësuar veten të pafajshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë