Drejtësia

Hetimet për CEZ-DIA dhe lobimi i LSI, Ilir Meta njihet me akuzat. Avokati i tij: Zero prova për korrupsion

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot më 4 gusht akuzat ish-presidentit Ilir Meta sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Komunikimi zyrtar i akuzave ishte planifikuar që javën e shkuar, por u shty pasi avokati i tij Kujtim Cakrani ishte me pushime.

Avokati Kujtim Cakrani ishte i pranishëm si mbrojtës, ndërsa ish-presidenti Meta, u transportua nga 313 në ambientet e SPAK.

Në deklaratën për mediat, pas seancës, avokati tha se Meta bëri shpjegime për tre akuzat që rëndojnë ndaj tij. “Nuk kishte asgjë të re. Mali i akuzave ra poshtë. Do të vazhdojmë me gjykim të zakonshëm“, tha Cakrani.

Avokati u shpreh se nga ana e mbrojtjes është ngritur vazhdimisht shqetësimi për mungesën e provave konkrete që të lidhin Metën me akuzat për pastrim parash apo korrupsion.

“Akuzat janë thuajse të rrënuara. Çështja CEZ-DIA ka prej vitesh që hetohet dhe tani është përmbledhur në vetëm 30 faqe. Ndërkohë që ne kemi 116 fashikuj, afro 60 mijë faqe dokumente dhe prova që tregojnë se zoti Meta nuk ka asnjë pasuri të paligjshme, asnjë gjurmë korrupsioni”, – shtoi ai.

Sipas Cakranit, pjesa më e madhe e verifikimeve janë bërë në banka dhe institucione financiare të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe rezultatet kanë qenë të pastra. “Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korrupsioni”, theksoi ai.

Ish-presidenti u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar falë një operacioni të papritur nga forcat Operacionale në hyrje të Tiranës ku po kthehej pas vizitës në Kosovë.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Gjithashtu e pandehur mbi dosjen hetimore ndaj ish-çiftit është edhe Fatime Kryemadhi, e ëma e deputetes aktuale të PL, Monika Kryemadhi. Sipas kësaj të fundit, SPAK e akuzon nënën e saj se e ka ndihmuar atë në pastrim parash.

Të pandehur janë edhe Pirro Xhixho për korrupsion pasiv dhe Ema Çoku për pastrim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë