Drejtësia

Hetimet për ’21 Janarin’, vëllai tjetër i Hekuran Dedës dëshmon në SPAK

Gazeta Si – Agim Deda, vëllai tjetër i Hekuran Dedës, i cili mbeti i vrarë në bulevard në 21 janar 2011 gjatë protestës para kryeministrisë, ka dëshmuar mëngjesin e kësaj të mërkure në SPAK.

Paraqitja e tij në Prokurorinë e Posaçme vjen një ditë pasi vëllai tjetër i tij, Zabit Deda dëshmoi për një orë e gjysmë.

Mësohet se Agim Deda do të pyetet për llogari të hetimeve për vrasjen e Hekuran dedës gjatë protestës së opozitës së asaj kohe në bulevard.

Sipas burimeve, ashtu si vëllai tjetër, ai do të pyetet nga prokurorët si për rrethanat e ngjarjes apo nëse ka pasur ose jo kontakte në lidhje me personat që kanë qëlluar në drejtim të familjarit të tij.

Gjithnjë sipas burimeve, një ditë më parë, Zabit Deda u pyet nga SPAK mbi deklaratat e tij e dikurshme publike lidhur me një ish-gardist të asaj kohe i denoncuar nga familja Deda, se kishte tentuar t’u blinte heshtjen në këmbim të një shume të konsiderushme parash për ardhjen për ngushëllim në shtëpi të ish-kryeministrit.

Ndërkohë, njëlloj si në rastin e të viktimës tjetër, Aleks Nika, vrasja e Hekuran Dedës është një ngjarje e pa zbardhur.

Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, për të cilët drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për vrasje nga pakujdesia.

Në gjykimin e parë të dosjes “21 janari” për vrasjen e tij, u akuzua gardisti Agim Llupo, por Apeli i kryeqytetit e zhveshi nga kjo akuzë, duke e lënë pa autor të dyshuar vrasjen e Dedës.

SPAK regjistroi hetim për “21 janarin” korrikun e vitit të shkuar, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Kjo gjykatë detyroi Strukturën e Posaçme të hetojë një kallëzim të bashkëshortes së Aleks Nikës kundër ish-kryeministrit, Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, të cilët i akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”, “shpërdorim të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.

Deri më tani prokurorët kanë marrë në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, zëvendësin e tij, Agron Kuliçaj dhe deputetin e PS, Xhemal Qefaliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë