Drejtësia

Hetimet për 21 Janarin, SPAK thërret bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës

Prokuroria e Posaçme ka thirrur bashkëshorten e Aleks Nikës, Rajmonda Nika dhe xhaxhain e viktimës Mark Nika.

Rajmonda dhe Mark Nika janë thirrur nga SPAK në cilësinë e kallëzuesit, për tu marrë në pyetje.

Ata janë thirrur për të dëshmuar ditën e hënë më datë 22 korrik, njëri në orën 10.00 dhe tjetri në orën 12.00.

Thirrja e të dyve, vjen dy ditë pasi SPAK regjistroi si procedim ngjarjen e 21 Janarit.

Pas një viti kundërshtish gjyqësore nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, SPAK iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 janarin” një ditë më parë.

Pavarësisht se në denoncim përmendet ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.

Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës. Ashtu siç e urdhëron Gjykata e Lartë SPAK deklarohet kompetent për këto hetime, dhe kërkon të tërheqë fashikujt e 21 janarit pranë Prokurorisë së Tiranës për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës.

Si Gjykata e Lartë edhe SPAK përmend vendimin e Gjykatës Europiane që në nëntor 2023 tha se nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës.

Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011 thuhet se hetimi ishte ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.

Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre , të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë