Ka ndodhur

Hetimet nga Danimarka, sekuestrohen pasuri ndaj anëtarëve të një grupi kriminal

Një shumë që kap vlerën e 4000 eurove, një njësi shërbimi në Durrës dhe dy apartamente në Tiranë. Kjo është pasuria për të cilën Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro me kërkesë të Prokurorisë pas një hetimi financiar të kryer në ngarkim të Armando Doçajt dhe A.Beqirit.

Bëhet fjalë për një grup kriminal nga Shkodra, i cili trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt vendeve të ndryshme të Europës, që së bashku me disa të tjerë, u arrestuan më 26 qershor 2019 në Danimarkë.

SPAK bën me dije se Doçaj dhe Beqiri ishte pjesë e grupit kriminal që operonte në Danimarkë, Gjermani, Holandë, Suedi, Belgjikë dhe Shqipëri.

SPAK ka regjistruar një hetim pasuror në ngarkim të 6 personave që ishin pjesë e këtij grupi, të cilët ishin nën hetim nga autoritetet daneze për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Pas përfundimit të hetimeve, SPAK vendosi: sekuestrimin e një shume prej 4.000 Euro (llogari bankare); sekuestrimin e një njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2 në lagjen “Plazh”, Durrës; sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 122.58 m2 në Tiranë; sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 116.83 m2 në Tiranë.

Me 29 tetor 2019, grupit kriminal që operonte në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe të ardhurat e përfituara prej saj që i investonte në Shqipëri, iu sekuestruan 3 milionë euro pasuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë