Drejtësia

SPAK merr në pyetje Erion Veliajn, kryebashkiaku nën hetim për përdorimin e celularit të policit të burgut

Gazeta Si – Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj është marrë në pyetje këtë të enjte në SPAK për rreth 1 orë e 30 minuta, ku ka dhënë shpjegime mbi dyshimet e prokurorëve se ka përdorur në mënyrë të paligjshme celularin e një polici të burgut.

Mësohet se prej orës 10:00, deri në 11:40, Veliaj u pyet brenda Prokurorisë së Posaçme nga agjentët e BKH-së dhe në prani të dy avokatëve të tij, Ermir Beta dhe Artur Selmani.

Sipas burimeve paraprake, Erjon Veliaj është vënë në dijeni, se përveç korrupsionit në 9 raste dhe akuzës së pastrimit të parave, po hetohet edhe për një vepër tjetër penale, atë të futjes së sendeve të ndaluara në paraburgim.

Dyshimet e prokurorëve Olsi Dado dhe Altin Dumani, janë që kryebashkiaku i Tiranës ka folur përmes telefonit të një oficeri të burgut të Durrësit, edhe ai nën verifikim.

Të njëjtat burime, pohuan se komunikimi i kësaj vepre penale u krye gjatë marrjes në pyetje të Veliajt. Sipas SPAK, Veliaj ka përdorur telefonin për të nisur një fushatë sulmi dhe shantazhi mediatik kundrejt prokurorëve dhe gjyqtarëve të tij në këtë proces.

Kjo akuzë ndaj Veliajt, lidhet pikërisht me episodin e ndodhur së fundmi, ku u zbulua se kryebashkiaku përdori telefonin e një oficeri të Burgjeve më 13 mars, para se të mbërrinte në Apelin e GJKKO, ku do shqyrtohej kërkesa e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.

Dyshohet se kryebashkiaku ka bërë një telefonatë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe biseda është zbuluar pikërisht nga celulari i saj, i cili është vënë në përgjim.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi të enjten e kaluar masën e caktuar nga Shkalla e Parë, duke vlerësuar njësoj mbi argumentet e SPAK, se lënia në një masë më të butë do të rrezikonte hetimet e tjera.

Veliaj vetë dhe avokatët e tij, në dy seanca njëra pas tjetrës, kërkuan zëvendësimin e masës, duke vënë në alternativë edhe garancinë pasurore.

Pas lënies në qeli nga Apeli i GJKKO, Veliaj shkroi në rrjetet sociale se prokurorët i kanë ngritur një kurth duke përgjuar bisedat e tij telefonike me familjarët nga burgu.

“Por, këta më ngritën edhe një kurth, duke më vënë në përgjim bisedat me gruan e me vëllain nga burgu, dhe shfrimet e mia i kthyen në një dosje të re!“, shkruan Veliaj

Avokati Maksim Haxhia, tha se nuk plotësohet asnjë kusht që Veliaj të qëndrojë në qeli. Kryebashkiaku pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs kundër vendimeve që e lanë në burg.

Në kuadër të së njëjtës dosje, SPAK gjatë kësaj jave ka marrë edhe dëshmi të tjera, si biznesmenin Elman Abulen apo Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë