Drejtësia

Hetimet ndaj Veliajt dhe inceneratorët, Dumani: Kontrollet, mjet për të gjetur prova

Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani ka thënë se hetimet për kryebashkiakun Erion Veliaj janë në fazë paraprake dhe se kontrollet ndaj tij dhe familjarëve të tij, u bënë për të gjetur prova.

“Po hetohen veprat penale. Çështja është në fazën e hetimit paraprak kontrollet që janë bërë, janë mjet për gjetjen e provës”, – tha Dumani në një takim për gazetarët.

Me 6 dhjetor me urdhër të SPAK, Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me një hetim pasuror ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme lejoi edhe një kontroll tjetër në një apartament të kryebashkiakut, me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, pajisje elektronike, celularë, lap top apo kompjuter personal.

Në fund të vitit të shkuar, kreu i Bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dëshmuan në ditë të veçanta për disa orë në SPAK në lidhje me hetimin pasuror të nisur nga prokurorët specialë.

Më herët, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e kryebashkiakut, në apartamentin e vëllait të tij, Arbër Veliaj dhe studion e Ajola Xoxës në zonën e ish-Bllokut.

Ndërkohë, Dumani foli këtë të hënë edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës, për për cilën tha se pas sekuestrimit, ka masa sigurimi për ata që dyshohet se kanë përfituar nga ato fonde.

“Çështja e inceneratorit të Tiranës a është hetuar, ku kanë shkuar paratë?”- pyeti një prej gazetarëve të pranishëm.

“Në momentin që është vendosur sekuestro, inceneratori i Tiranës është nën administrimin e shtetit. Administratori ka detyrimin që ta menaxhojë, ai është personi përgjegjës për paratë. Për çështjen e sekuestrimit ka masë sigurimi, për ata që dyshohet se kanë përfituar nga ato fonde, po ashtu është duke u hetuar edhe për pjesën tjetër të parave”, tha Dumani.

Dumani foli gjithashtu edhe për kallëzimet nga institucionet e tjera në SPAK, për të cilat tha se janë inkurajuar që ta furnizojnë Prokurorinë e Posaçme me materiale.

“Ka institucione që lënë për të dëshiruar, por ne i kemi inkurajuar që të na furnizojnë me kallëzime, kur kanë dyshime për shkelje të ligjit”, përfundoi Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë