Gazeta Si – Dosja e “21 Janarit” e marrë në duar nga SPAK prej 6 muajsh vijon të plotësohet me veprime konkrete hetimore.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se aktet për këtë çështje kanë mbërritur në Prokurorinë e Posaçme më 11 korrik, teksa çdo ditë kryhen veprime konkrete
“Vendimi nga Gjykata e Lartë është marrë në mars të 2024 dhe aktet në SPAK kanë mbërritur në 11 korrik, në datën 15 korrik është bërë regjistrimi i procedimit penal pa emra konkret. Çdo ditë për këtë çështje kryhen veprime konkrete pasi e tillë është dinamika, që sjell nevojën për veprime të përditshme”, tha Dumani.
Në muajt e fundit, në SPAK janë thirrur disa prej ish-funksionarëve të kohës dhe ish-deputetë socialist, Saimir Tahiri ish-deputeti Arben Çuko apo dhe deputeti aktual i PS, Xhemal Qefalia.
Po ashtu, kanë dëshmuar edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ish-zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj apo dhe ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
SPAK ka nisur veprimet hetimore në lidhje me këtë çështje pasi Gjykata e Lartë i vendosi kompetencën. Një nga detyrat që i ka lënë gjykata është të pyesë të gjithë organizatorët e kësaj proteste si dhe gjithë zyrtarët që kanë pasur detyrë menaxhimin e protestës. Në protestën e 21 Janarit 2011 u vranë nga Garda e Republikës 4 protestues opozitarë.
Të martën (nesër) shënohet 14-vjetori i vrasjes së 4 protestuesve në bulevardin para kryeministrisë më 21 janar 2011 gjatë protestës së opozitës së asaj kohe, me kryetar, kryeministrin aktual Edi Rama.
Asokohe humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.
Për ngjarjen, Gjykata e Tiranës dënoi ish-komandantin e Gardës, Andrea Prendi dhe gardistin, Agim Llupo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.