Gazeta Si - Në cilësinë e personit që ka dijeni, gazetari Artan Hoxha ka dëshmuar për rreth 3 orë në SPAK në lidhje me hetimet e “21 Janarit”, ku në vitin 2011 humbën jetën në bulevard 4 protestues.
Hoxha ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme audio-përgjimin e marrë nga komunikimi në radio mes Gardës së Republikës së Shqipërisë më 11 janar 2011.
Hoxha tha se materiali përmban komunikimet që janë bërë para vrasjes, gjatë vrasjes dhe pas vrasjeve. E gjithë ngjarja, ku u vranë 4 persona, sipas tij, ndodhi për 7 sekonda dhe "nëse do të kishte vazhduar, do ishte bërë masakër".
LEXO EDHE:
- 'Qëlloni në trup'/ Si lidhet Sali Berisha me urdhrin për vrasjet e 21 Janarit? Xhaxhai i Aleks Nikajt zbardh regjistrimin që dorëzon të hënën në SPAK
- Hetimet për 21 janarin / Gruaja e Aleks Nikës 3 orë në SPAK: Dhashë fakte të reja. Mark Nika: Të hetohet zinxhiri komandues
- Kush urdhëroi vrasjet e 21 janarit? Ndrea Prendi, ish komandati i Gardës 3 orë në SPAK: Do vij sa herë të më thërrasin
“Materiali shërben për të identifikuar kush është zinxhiri komandues i Gardës dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do të vlerësojë më pas sa i vlefshëm është ai audioregjistrim, - tha Artan Hoxha për mediat pas daljes nga SPAK. - Jo vetëm ka qenë me urdhër, por urdhri ka ardhur nga lart me gjakftohtësi më të madhe, ashtu sikurse erdhi dhe urdhri për të ndaluar. Nëse zjarri do të zgjaste sikur 30 sekonda më shumë, aty do të ishte bërë masakër shumë më e madhe se sa u bë. Për mua, nëse nuk zbardhet as këtë radhë, nuk ka për t’u zbardhur më. Provat u prishën që në momentin që ndodhi ngjarja. SPAK tani është më ndryshe, e ka më të lehtë të thërrasë zyrtarë të lartë”.
Sipas gazetarit Hoxha, “materiali është 34 minuta. Komunikime në momentin e vrasjeve, brenda 7 sekondash jepet urdhër për të vrarë. Materiali shërben për të identifikuar kush është zinxhiri komandues dhe dalin drejtues të tjerë të shtetit që komunikojnë me gardën, materiali iu dha prokurorisë dhe do e vlerësojë sa i vlefshëm dhe për çfarë u shërben”.
Më tej, ai shton se ka mundur të identifikojë 2 zëra të tjerë në audio regjistrim të cilat do shqyrtohen nga hetuesit.
“Kasetën e kam siguruar unë dhe ia kam çuar familjes Nika. Sepse nuk kanë marrë përgjigje kush e ka vrarë të afërmin. Për ta qetësuar dhe nga ana shpirtërore. Pjesa tjetër është politike dhe nuk më intereson. Prokuroria e ka marrë materialin dhe do të ndjekë procedurën. Regjistrimi u në përmes një diktofoni, nga një person që ka pasur akses në kanalin ku komunikojnë drejtuesit e Gardës, prandaj ka mozaikun e komunikimeve kur ndodhi vrasja dhe pas vrasjes. Nëse të shtënat do kishin ndodhur më shumë se 7 sekonda aty do kishte masakër, qoftë dhe 30 sekonda do ishte bërë nami ashtu siç u hap zjarri. Asnjë prej të vrarëve nuk është pranë perimetrit të Kryeministrisë. Nuk ishte e nevojshme”.
Qëllimi final i gjithë kësaj lëvizjeje, është për të marrë një përgjigje se kush e dha urdhrin për të qëlluar në drejtim të protestuesve, ku si pasojë katër persona humbën jetën.
Ky audio-përgjim i përftuar mes pjesëtarëve të Gardës dhe vartësve të tyre është bërë publik për mediat prej gati një viti, por nuk është dorëzuar te autoritetet, pasi vetë familjarët e njërit prej viktimavce, Aleks Nika, kanë kërkuar që ky material të dorëzohet vetëm në SPAK.
Dosja "21 Janari” i kaloi SPAK-ut për hetim me vendim të Gjykatës së Lartë duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave, ku në 16 korrik të këtij viti regjistroi hetimet për akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Hetuesit e posaçëm administriuan dosjen nga Prokuroria e Tiranës e cila prej disa vitesh e kishte rihapur këtë hetim për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës së opozitës socialiste të asaj kohe, e cila u zhvillua përpara kryeministrisë, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.