Shendet

Hetim për skandalin te Onkologjiku, Koçiu: Do ndryshojmë shërbimin dhe ligjin për Urdhërin e Mjekut

Nga Gazeta Si - Pas skandalit që u zbulua në spitalin Onkologjik, ku mjekë dhe staf i këtij spitali në bashkëpunim, u zhvasnin para pacientëve të sëmurë me kancer dhe nuk u ofronin shërbime duke i dërguar në klinikën private të mjekut Edmond Gashi, ministria e Shëndetësisë do të nisë një hetim administrativ.

Në komunikatën me median pas vendimeve të Qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu tha se do të ketë një hetim administrativ me strukturat e brendshme, i ndarë nga hetimi i prokurorisë.

“Do të jetë një hetim që do të trajtojë shumë aspekte, çështjet e organizimit dhe punës në këtë shërbim. Do të iniciojmë ndryshime ligjore për të bërë amendime në ligjin për Urdhrin e Mjekut për të vendosur dhe aty sanksione të forta që ndëshkojnë këdo që e trajton jetën njerëzore si mal shumice në tregun e lirë. Duhet të jenë thelbi i punës së çdo profesionisti. Hetimi do të bëjë të mundur edhe një ridemensionim të sistemit të Onkologjikut”, u shpreh Koçiu.

Edhe ministri i drejtësisë, Ulsi Manja foli për rastin në fjalë, duke thënë se që në janar të 2023 ka pasur një hetim administrativ për Onkologjikun, një hetim që vazhdon ende.

Ai mbështeti ministren Koçiu duke thënë se qeveria do të marrë parasysh çdo sugjerim dhe ndryshim ligjor që do të kërkojë ministria e shëndetësisë.

“Do ketë ndryshime ligjore, jo penale. Si shembull, në aspektin penal mund të lirohet nga akuzat një mjek por ndryshimet ligjore në fushën e mjekësisë nuk duhet ta lejojnë të ushtrojë profesionin”, shpjegoi Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë