Gazeta Si – GJKKO ka dënuar me 12 vite burg kreun e bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj alias Balliu i akuzuar për “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Çështja për të cilën është dënuar Avdalaj, i referohet një laboratori heroine të zbuluar në Has në vitin 2018, ngjarje për të cilën janë dënuar me 125 vite burg 17 persona të tjerë.
Astrit Avdylaj është dënuar më parë nga GJKKO me 12 vite burg, por Apeli i GJKKO-së e prishi si vendim dhe e riktheu përsëri për gjykim.
Laboratori i heroinës ishte ideuar nga Admir Hoxha dhe si bashkëpunëtor i tij ishte Astrit Avdylaj e disa anëtarë të bandës së tij.
Këta persona janë përgjegjës për futjen e të paktën 161 pakove me heroinë nga Kosova që më pas përpunohej në laboratorin në fshatin Brenog të Hasit.
Në atë kohë, sasia e drogës u gjet e fshehur në një shtëpi në një nga fshatrat e Hasit, dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, më pas në Itali.
Astrit Avdyli u arrestua në vitin 2018 si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u zbulua në Has, por ai u akuzua si i përfshirë edhe në dosje të tjera kriminale.
Ndaj Avdylajt rëndojnë edhe akuza të tjera nga sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, deri tek ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sa i përket veprës më të rëndë, ajo e sigurimit të materiale për të kryer vrasje, është për tentativat e vrasjes së Durim Bamit.
Sipas dosjes së SPAK, 4 grupe kriminale, i Arben Ndokës, Ervis Martinajt, Emiljano Shullazit, dhe Astrit Avdylajt, ishin bërë bashkë për të ekzekutuar “të fortin e Niklës”, Durim Bami. 15 anëtarët e 4 grupeve kriminale synonin të hiqnin qafe edhe të vëllain e tij, Valter Bamin.
Nga hetimet e SPAK rezultoi se banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte edhe me atë të Bajrave në Shkodër.
Në vitin 2020, Avdylaj komunikonte disa herë me Arben Ndokën duke i vënë në dispozicion atij edhe nipin e tij, Aldo Avdylin, si dhe Arben Mërkurin, të njohur si “Maneci”, i cili u vra në vitin 2022.
Nipi i tij hyri në mënyrë ilegale i ndihmuar nga Astrit Avdylaj, nëpërmjet Malit të zi që të kryente vrasjen dhe më pas të kishte alibi që nuk ndodhej në vendin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



