Futboll

Heroi Strakosha eleminon Interin nga Kupa

Një ndeshje me fund dramatik, ku ai që vendosi ishte portieri shqiptar Tomas Strakosha. Fituesi i përballjes çerekfinale për Kupën e Italisë është Lacio, e cila ka eliminuar Interin pas gjuajtjeve të penalltive. U deshën më shumë se 100 minuta për të parë golin e parë në këtë ndeshje dhe në minutën e fundit të shtesës për të parë barazimin që erdhi nga pika e bardhë e penalltisë.

Një pjesë e parë pa shumë raste, pa Lacion më shumë të avantazhuar dhe që doli më shpesh në sulm. Interi vendas nga ana tjetër duket se këtë periudhë është në një krizë dhe pjesa e parë ishte tërësisht për t’u harruar. Me pjesën e parë që u mbyll me rrjetat e paprekura dhe portierët që nuk patën shumë punë, 45 minutat e dyta ishin pak më ndryshe. Si Inter edhe Lacio filluan të sulmonin më shumë, duke tentuar që të shmangnin kohën shtesë. Lacio do të kishte dy raste të pastra për gol, por Handanoviç bëri mrekulli, duke mbajtur të paprekur rrjetën e tij. Nga ana tjetër edhe Strakosha bëhet protagonist 5 minuta nga fundit, ku i hoqi mundësinë e golit Politanos, për ta çuar ndeshjen në shtesa.

Koha shtesë ishte shumë herë më agresive se ajo e rregullt. Të dy trajnerët bënë të gjitha zëvendësimet që kishin rezervuar dhe ekipet u hodhën në sulm gjithçka për gjithçka. E para që e gjeti golin ishte Lacio me anë të bomberit të saj Imobile, i cili i shpëton markimit nga mbrojtësit dhe e çon topin në cepin e paarritshëm për portierin e Interit, Samir Handanoviç. Por edhe kundërpërgjigja e ziklatërve nuk mungoi dhe pikërisht nëpërmjet, kapitenit Ikardi. Pas një ndërhyrje të gabuar në zonë të Radu, Inter fitoi penallti, e cila nuk u gabua nga argjentinasi.

Në gjuajtjet e penalltive, lacialët ishin më gjakftohtë. Gabimin e Durmishit për Lacion e bënë të pavlefshëm dy gabimet e lojtarëve të Inter, Lautaro Martinez dhe Naingolan, i cili gaboi penalltinë finale. Kështu Inter largohet edhe nga Kupa e Italisë dhe tashmë mbetet në garë vetëm në dy fronte, kampionat dhe Liga e Europës. Ndërsa Lacio vijon rrugëtimin e saj në këtë kompeticon, teksa në gjysmëfinale do të ketë përballë Milanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë