Politike

‘Here I am’/ Kryemadhi replika me Metën: PL s’ka nevojë për prerje kokash. Meta: Partitë politike nuk mund të jenë biznes familjar

Nga Gazeta ‘Si’- Me një bluzë ku shkruhej “Here I am” (Jam këtu) Monika Kryemadhi foli me tone të larta në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Partisë së Lirisë dhe shkëmbeu replika me Ilir Metën, i cili ishte jo më larg se disa metra nga foltorja ku ajo po fliste.

Duke iu përgjigjur akuzave të tij që flet për tradhtarë, Kryemadhi tha se Partisa e Lirisë nuk ka çfarë kokash të presë.

Pas përplasjes politike me Ilir Metën, Kryemadhi u shpreh se prioritetet e PL, nuk janë përjashtimet, por janë hapja e partise dhe krijimi i hapësirave të reja.

“Shyqyr që ishte vendosur fjala meritokraci sepse kishim dy javë që dëgjonim vetëm fjalën nepotizëm dhe do të doja të dija çfarë do të thotë nepotizëm. Partia është bashkim vullnetar dhe jo përjashtim. Ky është ligji i partive politike dhe nëse ndonjë nga ju më gjen fjalën nepotizëm. Një parti politike është bashkim vullnetar dhe aty vlen meritokracia. Çështja e nepotizmit është një metodologji për të larguar njerëz që kanë kontributet e tyre.

Në një parti politike meritokracia ka rëndësi më shumë se sa servilizmi. Servilizmi i mbyll hapësirat. Tradhtarët në Partinë e Lirisë ku nga këta jam edhe unë një prej tyre, u kanë mbyllur dyert të rinjve dhe të rejave. Ajo që dua të theksoj është se prioritetet e Partisë së Lirisë nuk janë përjashtimet, por hapja e partisë dhe në fund të fundit edhe për të mësuar nga gabimet e Monika Kryemadhit, sepse nuk jam e pagabueshme. Partia e Lirisë nuk ka nevojë për prerje kokash se s’ka më koka të presim. Ka nevojë për një hapësirë të re për gra dhe vajza jo që keqpërdoren”, tha Kryemadhi.

Ajo deklaroi se imazhi i Ilir Metës po shkërmoqet, megjithatë kjo deklaratë u prit me të qeshura nga Meta, i cili nuk arriti të fshihte buzëqeshjen e fortë ndaj deklaratave të bashkëshortes së tij, me të cilën ka pasur disa përplasje në distancë gjatë daljeve në media javën e fundit.

Në fund të fjalës së saj, Kryemadhi theksoi se “nuk i rruhet fare as për SPAK-un dhe as për burgun”.

“Shumë prej jush thirren dhe iu thonë distancohuni nga Monika Kryemadhi se do të shkojë në burg, nuk më rruhet fare as për burgun dhe as për SPAK-un. Sa kam parë kumbulla dhe fara luledielli në jetën time në këto 30 vjet, si puna e tyre do hyjnë dhe do dalin sa të duash. Halli im nuk është halli juaj, halli juaj është halli im”, theksoi ajo.

Pasi ajo kërkoi një shpjegim për fjalën nepotizëm që Meta ka përdorur ditët e fundit, ky i fundit hapi Google duke i cituar se "partitë politike nuk mund të jenë biznes familjar".

“Shikoj një moskuptim të qartë se çfarë është nepotizmi. Kjo më habit për njerëz që kanë përvojë politike. Partitë politike nuk mund të jenë biznes familjar. Që do të thotë që nuk duhen bërë partitë si instrumenta biznesi për familje të caktuara përfshirë këtu familjen e Metës dhe familje të tjera që e kemi këtë problem nepotizmi.”

"Po flasim për parimet më demokratike. Partia më e madhe demokratike në botë duke çrrënjosur nepotizmin dhe duke instaluar meritokracinë. Nuk duhen bërë partitë instrumente biznesi për familje të caktuara përfshirë këtu familjen e Ilir Metës dhe familje të tjera dhe sidomos organizatën e Rinisë që është atrofizuar nga nepotizmi.

Ka 100 anëtarë LRI-ja në Komitetin Drejtues dhe thirri sot nëse i gjen 40 veta. Ka më shumë këshilltarë të zgjedhur në këshillat bashkiake në bazë edhe të marrëveshjes me Partinë Demokratike të të madhërishmit, Sali Berisha. Ka më shumë këshilltarë se sa anëtarë dhe kjo është pasojë e nepotizmit, mbylljes. Monika është pro amerikane e pa epur dhe ne kemi bashkëpunuar me institutin demokratik amerikan.

Nepotizmi është që ai nuk na e bëri të mundur që një shoqen tonë që dikur e bëmë ministre të ishte e pranishme në mbledhjen e kaluar të Këshillit Kombëtar. Për herë të parë Ilir Meta që e bëri ministre e mori në telefon dhe e falënderoi. Kishte një përpjekje të qartë për të sabotuar kuorumin e mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar. Nepotizmi e bëri atë sepse i kanë thënë ty nuk të bëri Ilir Meta ministre”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë