Gazeta Si – Herën e fundit dhe të vetme që presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski u takuan personalisht, ishte më shumë se pesë vjet më parë, kur pushtimi i plotë rus nuk kishte filluar ende, por të dy vendet ishin në fakt tashmë në luftë, megjithëse të kufizuar në Ukrainën lindore.
Ishte 9 dhjetori 2019 dhe Putin e Zelenski u takuan në Paris për të diskutuar pretendimet ruse dhe lëshimet territoriale.
Ata u shoqëruan nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane e atëhershme, Angela Merkel.
Nëse Trump do të organizonte një takim tjetër midis dy presidentëve, siç tha të hënën se donte të bënte, do të ishte një sukses diplomatik: që nga viti 2022, Putin ka refuzuar vazhdimisht të takohet me Zelenskin.

Ai i Parisit në vitin 2019, ishte një takim i të ashtuquajturit “Formati i Normandisë”, një grup prej katër vendesh (Franca, Gjermania, Rusia dhe Ukraina) që u takuan disa herë midis viteve 2014 dhe 2022 për të provuar të zgjidhnin luftën e vazhdueshme në Donbas.
Donbasi është pjesë e Ukrainës, por në vitin 2014 u pushtua pjesërisht nga separatistët pro-rusë, të mbështetur dhe të armatosur nga regjimi i Putinit.
Në dhjetor 2019, Zelenski kishte qenë në detyrë për rreth gjashtë muaj: ai ishte zgjedhur president në maj, pas një fushate zgjedhore të përqendruar kryesisht në premtimin e përfundimit të luftimeve në kufirin lindor. Më parë, ai ishte komedian dhe nuk kishte përvojë politike apo diplomatike.
Putin, nga ana tjetër, kishte qenë president për 15 vjet dhe për këtë arsye dinte si t’i zgjidhte takimet midis krerëve të shteteve dhe qeverive.
Putin mbërriti në Pallatin Elize (selia e presidencës franceze, ku u mbajt takimi) në një limuzinë luksoze ruse “Aurus”, ndërsa Zelenski në një minivan gri të tipit “Renault”.
Ai mbante veshur një kostum të zi me xhaketë dhe kravatë: që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, ai nuk e ka veshur kurrë një të tillë në publik, duke preferuar veshje ushtarake ose më pak formale si shenjë respekti për ushtarët dhe qytetarët ukrainas në luftë.
Për të kuptuar se çfarë u diskutua në takimin e Parisit, duhet të bëjmë një hap prapa. Në mars të vitit 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonin ukrainas të Krimesë.
Pastaj, në prill, rebelët pro-rusë morën kontrollin e rajoneve lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat së bashku përbëjnë Donbasin.
Që atëherë, Donbasi ka mbetur një zonë lufte, me periudha me intensitet të ndryshëm.
Në vitin 2015, u nënshkruan Marrëveshjet e Minskut, të cilat përcaktonin që rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut do të ktheheshin në Ukrainë në këmbim të një autonomie më të madhe dhe se grupet rebele do të linin armët e tyre.
Këto marrëveshje nuk u respektuan kurrë: ndër të tjera, në shkurt të vitit 2022 (pak para fillimit të pushtimit në shkallë të plotë), Putini njohu zyrtarisht republikat e vetëshpallura separatiste të Donjeckut dhe Luhanskut dhe më pas ia aneksoi ato Rusisë në referendume të rreme.

Transferimi i këtyre territoreve mbetet një nga kushtet kryesore të Putinit për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Në takimin e dhjetorit 2019, Putini dhe Zelenski folën vetëm për rreth 15 minuta dhe për disa orë së bashku me Macronin, Merkelin dhe zyrtarë të ndryshëm.
Një deklaratë e përbashkët, përsëriti se Marrëveshjet e Minskut duhet të vazhdojnë të jenë pika fillestare për negociatat e ardhshme dhe Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një armëpushim deri në fund të vitit 2019, gjë që në fund të fundit nuk u materializua.
Në një konferencë për shtyp pas takimit, Zelenski tha: “Ka shumë çështje që nuk kemi qenë në gjendje t’i zgjidhim sot dhe do të na duhet ta bëjmë këtë në të ardhmen. Jam i sigurt se do ta bëjmë këtë, së bashku”.
Gjërat dolën ndryshe. Siç u përmend, që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë, Putini ka refuzuar vazhdimisht të takohet me Zelenskin dhe është e paqartë nëse do të ndryshojë mendje këtë herë: qeveria ruse deri më tani nuk ka komentuar mbi propozimin e Trumpit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



