Kosova

Heqja e testimeve, pushuesit nga Kosova dynden drejt Shqipërisë

Shqipëria vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të shqiptarëve të Kosovës për pushime. Këtë e tregojnë edhe shifrat e mëdha të atyre që çdo fundjavë kalojnë pikën kufitare të Morinës.

Gjatë fundjavës në vendkalimin kufitar të Vërmicës, nga Kosova për në Shqipëri, kanë kaluar 41 mijë e 146 persona dhe rreth 12 mijë automjete, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës.

Numri i tyre sa vjen e rritet, si rezultat i përmirësimit të motit, por edhe më shumë po ndikon rënia e numrave të të infektuarve me COVID-19. si dhe heqja e testimeve në kufi.

Megjithatë, vizitat turistike apo edhe ato për pushime gjatë verës, sipas kryetarit të Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, kryesisht nuk bëhen me rezervime nëpër agjenci turistike.

“Ka plot agjenci turistike që kanë lidhur kontrata me agjenci në Shqipëri dhe ka plot prej tyre që kanë ofertat e tyre për bregdetin shqiptar, por një numër i madh shtetasish nga Kosova kanë banesat e tyre në Shqipëri, pra shkojnë individualisht”, thotë Baki Hoti, kryetar i UTK.

“Njëra prej arsyeve kryesore është që nuk kërkohet testi. Në bazë të kërkesës jashtëzakonisht të madhe nuk po shoh ndonjë frikë tek klientët”, shtoi ai

Hoti shton se rritja e turizmit në të dyja anët e kufirit ka ardhur edhe si rezultat i punës së përbashkët të unionit të turizmit të Kosovës me atë të Shqipërisë. Pas Shqipërisë, për shqiptarët nga Kosova, Mali i Zi dhe Turqia vazhdojnë të jenë dy destinacione që kërkohen shumë, sidomos për pushimet e verës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë