Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu detaje për një porosi të pakryer për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndri i ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Ai tregoi se gjatë përgatitjeve për vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishte diskutuar me Nuredin Dumanin për një tjetër “punë”, ku i ishte ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të goditur Sanxhaktarin.
Hoxhaj tha se nuk ishte i interesuar dhe se nuk e dinte kush ishte investitori, vetëm se, sipas Dumanit, kishte të bënte me dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Ai nuk mbajti mend të ishte përmendur emri Suel Çela dhe nuk mori pjesë në ngjarje.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”.
Prokurori Behar Dibra e pyeti: “Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: ‘Na humbën 200 mijë euro'”. Hoxhaj u përgjigj: “Po, se nuk u mbarua puna, pra”.
Gjatë dëshmisë, i pandehuri Hoxhaj rrëfeu edhe konfliktin me Ismet Boriçin, që kishte pasur si zanafillë një përplasje të një miku të tij me vëllezërit Boriçi në 1999-2000.
“Arsyeja ka filluar në vitin 2004, kur unë duke ikur për në shtëpi jam plagosur me 3 plumba. Ismet Boriçi i ka plagosur vëllain Viron Kallanxhiut, shokut tim të fëmijërisë, që tani është në burg”, – u shpreh Hoxhaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



