Treg

Hendeku gjinor për pagat, më i ulëti në ndërtim, më i larti në zejtari

Mes vështirësive për të hyrë në tregun e punës, angazhimeve familjare, diksriminimit dhe pagës më të ulët se burrat për të njëjtin profesion apo pozicion pune, me gjithë përpjekjet nga organizatat, apo marrëveshjet ndërkombëtare për të ulur hendekun në tregun e punës mes burrave dhe grave, nuk ka ndonjë përmirësim të ndjeshëm.

Gratë në Shqipëri përbëjnë pak më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit dhe kanë një vend të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike dhe sociale, por pavarësisht kësaj, burrat vijojnë të jenë të favorizuar në shoqëri.

Të dhënat më të fundit të INSTAT për 2019-ën në raportin “Burra dhe Gra” për tregun e punës, tregojnë se paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri, për vitin 2019 është 52.380 lekë. Kjo pagë është llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi dhe mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë dhe kontribuesit, shtetas shqiptarë e të huaj, për të cilët ndërmarrja deklaron pagë mujore bruto.

Krahasuar me vitin 2018, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 3,5 %. Hendeku gjinor në paga është 10,1 %. Pra burrat kanë një page mesatare mujore bruto 10,1 % më të lartë sesa gratë.

Krahasuar me vitin e mëparshëm, në vitin 2019 vihet re një ulje e hendekut gjinor në paga me 0,6 pikë përqindje.

Në këtë vit, sektori ekonomik, në të cilin hendeku gjinor në paga (HGJP) është më i lartë, është sektori i prodhimit, ku vlera e HGJP arrin në 24,6 %. Ndërsa sektori ekonomik ku HGHP arrin vlerën më të ulët, prej 0,7 %, është sektori i ndërtimit. I parë sipas grup profesioneve kryesore, hendeku gjinor në paga arrin vlerën më të lartë për zejtarët dhe punonjësit e montimit të pajisjeve dhe makinerive, me 24,2 %. Vlerën më të ulët HGJP e arrin për Forcat e Armatosura, me 3,0 %, pra burrat kanë një page mesatare mujore bruto 3,0 % më të lartë sesa gratë.

Pjesëmarrja në forcën e punës

Pjesëmarrja e grave në forcat e punës është më e vogël se pjesëmarrja e burrave. Përsa i përket popullsisë 15-64 vjeç, pjesëmarrja e grave në forcat e punës, ka një përmirësim krahasuar me vitin 2018, me 61,6 % nga 59,7 % që ishte në vitin 2018.

Sipas arsyeve të inaktivitetit, gratë mbesin jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë nxënës, studentë, në trainim të mëtejshëm, përvojë pune pa pagesë (22,3 %) ose duke përmbushur detyrat shtëpiake (18,0 %). Vetëm 1,0 % e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 28,1 % e tyre janë studentë ose nxënës.

Punësimi dhe struktura e punësimit

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 68,2 % për burrat dhe 54,4 % për gratë e kësajgrup-moshe. Struktura e të punësuarve sipas statusit të aktivitetit tregon se 27,1 % e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 15,2 % e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes. Për burrat e punësuar këto shifra janë përkatësisht 31,3 % dhe 10,8 %. Një pjesë e konsiderueshme e burrave janë të vetëpunësuar 26,1 %, ndërsa gratë e vetëpunësuara përbëjnë 12,1 %.

Për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2019, në sektorin bujqësor janë punësuar 41,6 % e të punësuarave gra, duke pësuar rënie prej 0,7 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë. Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave dhe burrave pas sektorit të bujqësisë është tregti, transport, hoteleri, shërbime të biznesit dhe administrative, pëkatësisht me 21,6 % të punësuara gra dhe 31,7 % burra.

Papunësia

Në vitin 2019, sipas të dhënave të anketës së forcave të punës, shkalla e papunësisë për burrat në moshën 15-64 vjeç është 12,2 %, kundrejt 11,8 % të grave. Shkalla e papunësisë për të dy gjinitë ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë. Situata e papunësisë për burrat është përmirësuar më shumë krahasuar me gratë, duke pësuar një rënie prej 1,0 pikë përqindje krahasuar me 2018, ndërsa për gratë rënia është 0,5 (pikë përqindje).

Pensionet

Nga përfituesit e pensioneve urbane, në vitin 2019, 47,1 % janë gra. Raporti gjinor për përfituesit e pensioneve rurale ndryshon ndjeshëm, me 66,4 % të të siguruarve që janë gra.

Mosha mesatare e daljes në pension është 65.1 për burrat dhe 61 për gratë, ndërsa për nënat me shumë fëmijë është 55.8 vjeç.

Në këtë vit, numri i kontribuesve vullnetarë arrin në 5.453 persona të siguruar, ndër të cilët 63,3 % janë gra.

Politikat e punësimit

Të dhënat e Shërbimit Kombëtar të punësimit pasqyrojnë, numrin e punëkërkuesve të papunë të regjistruar për përfitimin e kurseve të formimit profesional dhe në programet e nxitjes së punësimit. Në vitin 2019, gratë punëkërkuese të papuna marrin pjesë më shumë se burrat në programet e nxitjes së punësimit ndërsa burrat punëkërkues të papunë marrin pjesë më shumë në kurset e formimit profesional. Numri i grave punëkërkuese të papuna në përgjithësi rritet me rritjen e moshës, ndërsa e kundërta ndodh për burrat. Të dhënat tregojnë se rreth gjysma e grave dhe burrave punëkërkues të papunë kanë arsim 8/9 vjeçar.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë