Ngjarje

Hendeku Gjinor në Shqipëri u përkeqësua në 2024-n. Duhen 5 breza për ta mbyllur

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria ka rënë me 6 vende në Indeksin e Hendekut Gjinor, duke u renditur në vendin e 23-t për vitin 2024.

Në indeksin që publikohet nga Forumi Ekonomik Global, Shqipëria ka pësuar rënie të fortë në treguesin e arsimit, ku nga vendi i 33-të ka rënë në vendin e 116-të. Edhe në treguesin për përfshirjen politike, Shqipëria ka humbur vende, nga 28-a në 30.

Ndërsa përmirësim ka shënuar në treguesit për shëndetin dhe mbijetesën, në vendin e 128, një përmirësim me 5 vende. Po ashtu edhe në treguesin pjesëmarrja dhe mundësitë ekonomike, në vendin e 16 nga 18-ti një vit më parë.

Në Europë, Shqipëria renditet në vend të 16-të ndërsa në Rajon, në vendin e parë, pra ka një hendek gjinor më të vogël se vendet fqinje.

Islanda mban vendin e parë në botë për hendekun e ulët gjinor, ndjekur nga Finlanda, Norvegjia, Suedia, Gjermania dhe Irlanda.

“Në vitin 2024, Europa ka nivelin më të lartë të barazisë politike nga të gjitha rajonet. Tetë ekonomi në rajon tregojnë barazi në nivel ministror: Norvegjia, Shqipëria, Belgjika, Spanja, Finlanda, Islanda, Holanda dhe Portugalia. Barazia në parlamente ndryshon ndjeshëm, me 16.7% të hendekut gjinor të mbyllur në Qipro dhe 90.8% në Islandë”.

WEF raporton se ndonëse në nivel botëror, Hendeku Gjinor është zvogëluar, zvogëlimi ka ndodhur me hapa më të ngadaltë. Për të mbyllur gropën midis burrave dhe grave, WEF thotë se do të duhen 134 vite.

“Pabarazia gjinore në mbarë botën është ngushtuar pak gjatë vitit të kaluar, por me një ritëm më të ngadaltë se më parë. Tani vlerësohet se do të duhen 134 vjet – ose pesë breza – për të mbyllur hendekun global gjinor, nga 131 vjet në 2023”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë