Gazeta Si – Shtatë herë kampioni i botës synon të fshijë 2022-shin, vitin e parë pa fitore në Formula 1 të karrierës së tij. Në Botërorin e ri ai do të kërkojë rilindjen dhe thyerjen e disa rekordeve.
Viti i kaluar ishte pa shumë emocione pozitive për Ljuis Hemilton. Në 2022-shin nuk arriti asnjë fitore, pasi Mercedesi hasi vështirësi në pjesën më të madhe të sezonit. Ai shpreson për një W14 kompetitive në Botërorin që nis më 5 mars në Bahrein. Anglezi pret me ankth testet e para në Sakhir, më 23-25 shkurt. Në këtë Botëror ai ka shansin të arrijë disa rekorde.

Gati për të rinovuar me Mrcedesin deri në 40 vjeç, Hemilton ka një objektiv të qartë: të fitojë titullin e 8-të, me të cilin do të kalonte të përjetshmin Mikael Shumaker. Të dy janë me nga 7 tituj. Shumi ka fituar 2 tituj me Benetonin në 1994-ë dhe 1995-ën, para periudhës së artë me Ferrarin. Hemilton e fitoi titullin e parë në 2008-ën me MekLaren, për të vazhduar me 6 të tjerë me Mercedesin në periudhën 2014-2020.
Hemilton në 2023-shin mund të thyejë edhe rekordin e numrin më të madh të fitoreve në të njëjtin Çmim të Madh. Ai ka 8 fitore si në Hungari, ashtu edhe në Silverston. Shumaker është përkrah tij me të njëjtin numër fitoresh në Francë. Me një sukses të mundshëm në Hungaroring ose Silverston, Hemilton do të kryesonte edhe këtë klasifikim.
Jo vetëm fitoret në të njëjtën pistë. Anglezi mund të thyejë edhe rekordin e numrit më të madh të ‘pole position’ në një garë të vetme. Ai ka 8 ‘pole’ në Australi dhe Hungari. Nëse niset i pari dhe fiton në Hungaroring, arrin një rekord të dyfishtë brenda një fundjave. Pranë tij për numrin më të madh të ‘pole’ në një pistë janë Airton Sena dhe Mikael Shumaker.

Ljuis Hemilton mund të jetë i pari edhe në klasifikimin e pilotëve me të paktën një fitore pas 300 garash të zhvilluara në karrierë. Do të ishte edhe i vetmi. Ai ka bërë 310 gara, por e fundit që ka fituar është ajo e Jedah në 2021-shin (e 287-ta). Një rekord që ndiqet edhe nga Fernando Alonso (359 gara), edhe pse nuk e ka të lehtë me Aston Martin.
Një rekord tjetër, ku Hamilton kryeson, por mund ta përmirësojë atë. Ai, bashkë me Sebastian Fetel, është në krye për numrin e podeve (56) të ndara me një tjetër pilot. Një numër që mund të kalohet nga dyshja Hemilton-Vershtapen, sot me 52 pode. Më i vështirë që rekordi të thyhet nga Hemilton-Botas, me 53.
Rekordi i radhës që Hemilton mund të thyejë është ai i tripletave, edhe pse shumë i vështirë me një Red Bull dhe një Maks Vershtapen të tillë. Tripleta nënkupton ‘pole position’, fitimin e garës dhe xhiron më të shpejtë. Anglezi i Mercedesit ka 19 tripela ndaj 22 të Mikael Shumaker dhe 11 të Xhim Klark. Hera e fundit që ka bërë tripletë ishte në Arabinë Saudite, në 2021-shin.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




