Motosport

Hemilton niset i pari në garë pas 2 sezonesh, më i shpejtë se Vershtapen në Hungari

Gazeta Si – Një kualifikim mbresëlënës për pilotin anglez në Hungaroring, ku pas dy sezonesh ai ka mundur të gjejë pozicionin e parë në nisje të një gare. Hemilton mposhti kampionin Vershtapen me 3 të mijëtat.

Ky i sotmi ishte ‘pole position’ i 9-të në Hungari për pilotin e Mercedesit, një rekord absolut në një cirkuit të vetëm. Hemilton ka regjistruar ndërkohë ‘pole position’ numër 104 në karrierë. Pas 2 vitesh ‘agjërim’ në kualifikuese, Ljuis Hemilton u rikthye protagonist i Formula 1, duke dhuruar emocione në Hungaroring.

Shtatë herë kampioni i botës i ka rikthyer, të paktën për të shtunën, buzëqeshjen Mercedesit dhe publikut të F.1. Ai dogji me vetëm 3 të mijëtat kampionin aktual, Maks Vershtapen, i cili me siguri do të kërkojë fitoren në garë. Një duel që në kthesën e parë mes dy rivalëve të mëdhenj. Hemilton nuk nisej i pari që prej garës së Arabisë në 2021-shin, në vitin e ndezur deri në fund kundër Maks.

Ferrari u duk ‘i fikur’ edhe në këto kualifikuese. Leklerk luftoi fort, por nuk shkoi më shumë se vendi i 6-të, pas dy makinave MekLaren të Lando Norris dhe Oskar Piastrit, si dhe pas Alfa Romeos befasuese të Zhou Guanyu. Alfa kompletoi ditën e bukur me Valteri Botas në vend të 7-të, përpara Aston Martin të Fernando Alonsos dhe Red Bull-it të Serxhio Perez. Vendi i 10-të për Niko Hulkenberg me Has.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë