Motosport

Hemilton largon tërheqjen: Po punoj për kryeveprën time, vendos unë për fundin!

Me një stil si ai i Zllatan Ibrahimoviçit, edhe Ljuis Hemilton kë dhënë mesazhe enigmatike në Instagram. Duket e njëjta ADN prej kampioni. Ditët e fundit janë përhapur zëra në lidhje me një tërheqje të mundshme të anglezit në fund të sezonit, duke parë vështirësitë e Mercedesit, ndaj dhe 7 herë kampioni i botës ka dashur t’i hedhë poshtë këto hipoteza.

“Duke punuar për kryeveprën time, jam unë ai që vendose kur të ketë përfunduar gjithçka”, – ka shkruar Hemilton, i cili duket se ka në plan të luftojë akoma, së pari për të mundur shokun e skuadrës, Xhorxh Rasëll.

Ljuis Hemilton, piloti anglez i Mercedesit. Gazeta Si, 29 prill 2022

Hemilton ka hasur vështirësi gjatë katër garave të para të këtij Botërori dhe Toto Volf në Imola i ka kërkuar falje në radio për “makinën e padrejtueshme”. Anglezi gjithsesi mbetet optimist: “Disa persona më shohin dhe thonë se nuk kam drejtuar kurrë një makinë të shëmtuar. Unë ju siguroj se e kam bërë. Makina e 2009-ës së MekLaren është më e keqja që kam pasur në karrierën time.

Makina W13 ka shumë potencial, si MekLaren në 2009-ën. Atë vit e përmirësuam makinën dhe ia dolëm të ktheheshim në krye. Kam shumë besim se skuadra ime mund ta bëjë këtë gjë edhe këtë herë”, – ka shkruar gjithashtu Hemilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë