Ka ndodhur

Helmohen punonjëset e një fabrike në Durrës, shkak dyshohet ilaçi kundër minjve

Gazeta Si – Punonjëset e një fabrike në autostradën Durrës-Tiranë, që prodhon tela për automjetet për llogari të një kompanie gjermane, janë helmuar këtë të hënë vetëm pak minuta pasi kishin shkuar në punë. Pesë prej tyre janë paraqitur në spital me tipike helmimi, si të vjella, marrje mendësh dhe dobësi.

Në dëshmitë e para thanë se në fabrikë ishte përdorur ilaç kundër brejtësve, çka u shkaktoi shqetësime shëndetësore. “Rreth 25 vetë sa ishim ne në atë moment, kishim dhimbje stomaku, fyti e koke”. – tha njëra prej tyre.

Veç helmit kundër minjve, siç pretendojnë vetë gratë, dyshimet janë se shkak për helmimin mund të jenë bërë edhe solucione që përdoren në fabrike apo për dezinfektim.

Ato ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa janë duke u kryer inspektime në ambientet e fasonerisë për të kuptuar shkakun real të helmimit të tyre.

Sipas policisë, e cila ka konfirmuar ngjarjen, në spital janë paraqitur O.A., 41 vjeçe, A.R., 26 vjeçe, M.Xh., 30 vjeçe, A.Gj., 35 vjeçe dhe J.K., 38 vjeçe.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë