Nga Gazeta Si- Helmimi i fëmijëve në kopshtin nr.1 të Gramshit ka ardhur për shkak të vezës së kontaminuar me salmonelë.
Edhe këtë herë, AKU ka reaguar pas publikimit në media për praninë e salmonelës në vezë, duke thënë se mostrat e marra tek prodhuesit dhe furnizuesit kanë rezultuar negative.
Ndërkohë mostrat e marra në kopshtin Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelës spp.
“Nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve ne Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë)”, shkruan AKU.
Nga salmonela u prekën 17 fëmijë, ngjarje e ndodhur më 20 maj por u bë publike disa ditë më vonë, pas protestës së prindërve para bashkisë.
Prindërit e fëmijëve të këtij kopshti dolën në protestë, duke kërkuar hetimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave për sigurinë ushqimore, duke thënë edhe se disa prindër janë ndaluar që të marrin pjesë në protestë, si një mënyrë për të minimizuar ngjarjen.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besjon Ajazi mohoi akuzat për intimidim dhe fshehje të ngjarjes, duke dalë në krah të kopshtit dhe të kompanisë që furnizonte me ushqime kopshtin. Ai gjithashtu, në një prononcim për mediat tha se 14 fëmijë të infektuar me salmonelë nuk janë një rast masiv.
1 javë pasi ngjarja u bë publike, AKU reagoi duke thënë se nga analizat e deritanishme kanë rezultuar negative mostrat e qumështit dhe kofshëve të pulës.
Ndaj këtij rasti tashmë ka nisur dhe një hetim nga prokuroria e Elbasanit për zbardhjen e rrethanave të infektimit.
Salmonella është një bakter që gjendet zakonisht te mishi i pulës dhe vezët. Të infektuarit, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit përjetojnë simptoma si diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.