Gazeta Si – Gjithsej 41 turistë polakë, mes tyre 20 fëmijë, janë paraqitur mbrëmjen e kësaj të premteje në Spitalin e Vlorës me shenja helmimi të dyshuar nga konsumimi i ushqimeve.
Sipas burimeve policore, turistët kanë mbërritur në spital, pasi kishin frekuentuar një prej anijeve turistike që kryen linjën Karaburun-Sazan.
“Rreth orës 20:10, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, me simptoma helmimi nga ushqimi, 41 shtetas polakë (turistë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit.
Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve”, njofton policia
Dyshohet se turistët kanë konsumuar ushqim, teksa udhëtonin në anijen turistike drejt Sazanit. Më pas, ata nuk janë ndjerë mirë dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Mësohet se 20 fëmijë janë shtruar në Pediatri, ndërsa numri i të tjerëve në total që dyshohet se kanë shenja helmimi, është 41 persona.
Burimet thonë se ushqimi që mund të ketë shkaktuar këtë ngjarje të rëndë, nuk është ofruar nga anija, por ka qenë ushqim i paketuar nga hotelet ku ata kanë rezervuar me paketa “all inclusive”.
“Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta”, – thotë AKU Vlorë në njoftimin e saj për mediat, duke iu bërë thirrje operatorëve të kenë kujdes me shërbimin e ushqimit me turistët.
Disa nga të turistët e helmuar do të transferohen në Spitalin “Memorial” të Fierit. Ndërkaq Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur verifikimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



