Futbolli anglez është përfshirë nga një tragjedi e rëndë. Helikopteri i presidentit të Leicester, Vichai Srivaddhanaprabhael është rrëzuar në dalje të stadiumit, pas ndeshjes Leicester- West Ham.
Mediet britanike shkruajnë se helikopteri ka dalë nga kontrolli në një lartësi prej 200 metrash dhe është përplasur në parkingun e stadiumit “King Power”. Bashkë me Vichai Srivaddhanaprabhael, dhe vajzën e tij kanë ndërruar jetë edhe dy presona të tjerë pjesë e stafit të helikopterit.
Repartet zjarrfikëse londineze që prej mbrëmjes së të shtunës kanë punuar për të nxjerrë trupat nga vendi ku ra helikopteri. Sipas “Mirror” për numrin e viktimave në fillim u aludua se mund të ishte më shumë se katër, për shkak të zonës ku është rrëzuar helikopteri, por që për fat të mirë nuk ka qenë më i madh. Vichai është konsideruar si presidenti më i suksesshëm në historinë e Leicester nën drejtimin e të cilit, ky klub për herë të parë fitoi titullin kampion në Premier League. Njëkohësisht me punën e zjarrfikësve kanë nisur punën edhe prokurorët londinezë që do të përpiqen të hedhin dritë mbi shkaqet e këtij aksidenti.
Kush ishte Vichai Srivaddhanaprabhael?
Vichai Srivaddhanaprabhael, njeriu që e ngriti skuadrën e tyre nga hiçi për ta çuar në majën e futbollit anglez ndërroi jetë në mënyrë të papritur dhe tragjike. Milarderi tailandez pasurinë e tij e kishte krijuar falë kompanisë “King Power Duty Free”, në fushën e transportit me kosto të ulët. Pasuria e tij llogaritej të shkonte deri në 4.9 dollarë, e përqendruar më shumë në Azi, por edhe në Europë.
Srivaddhanaprabha, e bleu klubin e Leicester City në vitin 2010, për vetëm 34 milion paund, ndërsa tashmë ky klub vlerësohet të paktën 11 herë më shumë, mbi 400 milionë euro. Në sezon 2015-16 Leicester shokoi të gjithë botën e futbollit, kur në fund të sezonit ia doli që të nginte lart titullin e kampionit, duke lënë pas gjigandët e futbollit në ishullin britanik. Por suksesi i Leicester me miliarderin tailandez në krye nuk ishte vetëm në fushën e lojës, por edhe në pjesën e arkëtimeve. Që pasi vendosi ta blejë, një nga vendimet e para të Srivaddhanaprabha, ishte rikonstruksioni dhe ndryshimi i emrit të stadiumit, duke i vendosur emrin e kompanisë e tij “King Power”.
Një lëvizje e tillë rriti ndjeshëm fitimet e klubit, duke e kthyer atë në shumë fitimprurës. Miliarderi, një nga avantazhet më të forta të tij kishte edhe pjesën që e njihte shumë mirë futbollin dhe një pjesë të lojtarëve i kishte zbuluar vetë. Për këtë pikë mjafton te përmendim emrat e Mharez, Vardy apo Kante për të kuptuar se çfarë lojtarësh i ka dhuruar futbollit. Në vitet e fundit ai kishte investuar edhe në disa klube më të vogla në kategoritë e vogla angleze dhe po planifikonte që të ngrinte një perandori të vërtetë në botën e futbollit, ku sigurisht qendra do të ishte Leicester City. Me largimin e tij do të mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këtë klub nëse do të vijojë të qëndrojë në nivelet e larta, apo do të rikthehet aty ku ishte para vitit 2010.
Trishtimi tek lojtarët dhe tifozët
Duket si një ëndërr e keqe për tifozët e Leicester, ajo që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Në fillim kishte ankth në mesin e të gjithëve nëse, numri një i Leicester kishte ndërruar jetë apo pas aksidentit. Por më pas të gjitha dyshimet u shuan dhe nuk kishte më dyshime nëse Srivaddhanaprabha kishte mbijetuar, duke parë edhe përmasat e aksidentit. Të parët që shprehën trishtimin e tyre ishin futbollistët e Leicester, që në ato momente luanin kundër West Ham. Portieri Kasper Schmeichel është parë duke qarë, ndërsa të gjithë futbollistët e tjerë janë dukur të tronditur. Të gjithë lojtarët kanë postuar foto me ish-presidentin, duke ngushëlluar familjen e tij. Ndërkohë tifozët e Leicester para stadiumit kanë nderuar presidentin e tyre duke zhvilluar homazhe para stadiumit. Lule dhe qirinj të ndezur dhe fanella të “dhelprave”, kështu kanë vendosur ta respektojnë tifozët e Leicester, Vichai Srivaddhanaprabhael njeriun që krijoi një mit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.