Dy helikopterët e sjellë në Shqipëri në ndihmë të Ministrisë së Mbrojtjes nga qeveria e Holandës do të jenë në dispozicion të autoriteteve shqiptare për shuarjen e zjarreve deri me datën 28 gusht.
Kështu bëri me dije i ngarkuari me punë i ambasadës së Holandës, Rogier Nouëen, gjatë konferencës për shtyp nga Rinasi, ku foli në lidhje me ndërhyrjen për shuarjen e flakëve në vendin tonë.
Nouëen tha se janë kryer 43 fluturime, dhe 106 orë fluturim, ndërkohë që shifra totale e ujit që është hedhur është 7000 litra.
Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare kanë llogaritur një dëm paraprak deri në 3 mijë hektarë sipërfaqe të gjelbra të djegura nga zjarret që nisën që në fillim të muajit gusht.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një dalje për mediat theksoi se një sipërfaqe e konsiderueshme toke është shkrumbuar, por fatmirësisht, sipas tij pjesa më e madhe kanë qenë sipërfaqe me shkurre.
“Ne po bëjmë më të mirën për të përmirësuar punën e bashkive tona, që disa kanë qenë në nivelin më të mirë, ndërsa disa të tjera kanë dhe vëretje. Ne llogarisim deri në 3 mijë hektarë dëmin në sipërfaqe të gjelbra, nga të cilat 2300 hektarë kanë qenë shkurre dhe pjesa tjetër pyje”.
Peleshi shtoi se “pushteti vendor është dhe përgjegjësi kryesor” për këtë situatë, ndaj “është e rëndësishme që të bëjnë të mundur që të kemi zero dëme”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes ka bërë me dije se vijon ende puna për shuarjen e vatrave aktive në disa zona të vendit, por fatmirësisht shumë prej tyre tashmë janë nën kontroll. Ai pohoi se veriu është dhe zona ku vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive, si në Pukë dhe në Lezhë.
Gjatë konferencës për mediat me përfaqësuesit e delegacionit të BE-së, Peleshi falënderoi të gjithë vendet që ofruan ndihmën e tyre në këtë betejë me flakët.
“Dua të falenderoj BE, mekanizmat e saj, zyrat e delegacionit të BE në Tiranë, për një kundërpërgjigje të shpejtë për të përballuar zjarret. E padyshim dy vende të BE, miq të Shqipërisë, Holandën dhe Çekinë që na erdhën në ndihmë. Ato kanë bërë punë heroike”.
Sipas Peleshit, një helikopter po punon në Lezhë, ku ka disa vatra serioze zjarri.
Ndërkohë që helikopteri holandez do të jenë në gatishmëri dhe dispozicion të FA-ve për situatën e zjarreve deri në fund të gushtit.
“Helikopteri ynë po punon në Pukë, ku kemi zjarre serioze. Ishte lajm i shkëlqyer për shtetin holandez që shtynë afatin për helikopterët, deri në fund të gushtit do të kemi në flotën tonë të ajrit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, bashkive, forcave zjarrfikësve, që jemi bërë së bashku për të përballuar situatën”.
Ndërsa shefi politik i delegacionit të BE-së, Aleksis Hupin, ka deklaruar se është punuar shumë nga Çekia dhe Holanda në bashkërendim me BE në ndihmë të Shqipërisë për shuarjen e zjarreve.
Sipas tij, ka filluar “një program asistence me agjencinë e mbrojtjes civile që do vijojë. Është një program prej 5 milionë eurosh për të mbështetur agjencinë kombëtare të mborjtjes civile në mënyrë që të ketë të gjitha kapacitetet e duhura për ta bërë punën siç duhet”, tha Hupin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




