Politike

Haxhinasto: Cakaj, pa peshë e cilësi politike për ministër

Propozimi për të emëruar Gent Cakajn në postin e ministrit të Jashtëm kontestohet nga ish-kryediplomati Edmond Haxhinasto, i cili e sheh kandidatin si pa eksperiencë dhe mbi të gjitha jashtë profilit që kërkohet.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, deputeti i LSI-së rendit arsyet se pse i propozuari nga ana e kryeministrit nuk përmbush sipas tij cilësitë për të përfaqësuar shtetin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
“Së pari, mosha e personit. Për mua nuk përbën asnjë problem një ministër i jashtëm në këtë moshë, duke pasur në mendje edhe raste të tjera, kur shumë politikanë shqiptarë kanë marrë përgjegjësi edhe më të mëdha në ekzekutiv se ai i ministrit të jashtëm, pikërisht si kryeministra të vendit. Por ka një ndryshim thelbësor, se kryeministrat “e rinj” të Shqipërisë u bënë të tillë pas një karriere politike shumë intensive, si deputetë dhe drejtues politikë. Dhe në informacionin e bërë publik, personi në fjalë nuk ka asnjë eksperiencë të tillë të ngjashme”, shprehet Haxhinasto.


Një argument të dytë ai jep edhe qytetarinë kosovare, duke theksuar se edhe pse nuk është kundër integrimit të shqiptarëve të Kosovës në shtetin shqiptar, mendon se Cakaj më mirë mund të jepte kontribut në shtetin më të ri të Ballkanit.

Duke vënë në dukje se eksperienca e shkëmbimit të zyrtarëve mes dy shteteve shqitparë nuk funksionon, Haxhinasto ndan mendimin se “shteti i ri i Kosovës, edhe për vetë faktin e rinisë së tij 10-vjeçare, ka më shumë nevojë për njerëz të tij të talentuar, (siç nuk kam dyshim që mund të jetë personi në fjalë), sesa Republika e Shqipërisë. Shtuar kësaj, edhe nevoja për talente diplomatike në kohën kur kemi sfida të jashtëzakonshme për diplomacinë e re kosovare, si njohjet ndërkombëtare, anëtarësimi në organizata rajonale e ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, e shumë të tjera sfida madhore”.

“Dikush mund të nxitonte të shprehej se përgjegjësia politike në një përzgjedhje të kësaj rëndësie i përket kryeministrit. Jam i bindjes se ministri i Jashtëm e ankoron përgjegjësinë e tij si kryediplomat, si person përgjegjës politik për gjithë veprimtarinë e shërbimit të jashtëm, edhe tek pesha dhe përgjegjësia politike e publike që mban në politikën kombëtare. Një peshë dhe cilësi të tillë, kandidatura në fjalë nuk e përmban. Aq me tepër që portofoli që i është propozuar, mban edhe atë të çështjeve Evropiane, një sfidë tjetër e madhe për vendin”, thekson ish-kryediplomati.

Në qëndrimin e tij deputeti i LSI-së fokusohet edhe te deklaratat që zv/ministri i Jashtëm i propozuar si pasues i Bushatit që ka në lidhje me ndarjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, çka në optikën e tij është e dëmshme, pasi Shqipëria ka dhënë një kontribut jo modest për situatën ku gjendet sot rajoni, për paqen e tij, nivelin e sigurisë dhe të bashkëpunimit mes vendeve të tij, duke marrë jo pak vlerësime nga aleatët tanë strategjikë SHBA, apo partnerët evropianë të BE.
“Kthesat e forta në politikën e jashtme të një vendi janë ngjarje të rralla. Përgjithësisht, këto ngjarje krijojnë “kërcitje” mes risive të momentit, dhe traditës por edhe kontributeve që një vend ka dhënë historikisht në politikën e tij të jashtme… Në këtë kuptim, qëndrimet e shprehuara publikisht për shkëmbime territoresh apo korrigjime kufijsh nga personi i propozuar si ministër i Jashtëm, kam bindjen se cenojnë rëndë të gjithë traditën tonë moderne në politikë e jashtme, kontributin jo-modest të Republikës së Shqipërisë për paqen e stabilitetin e rajonit, si dhe kompromentojnë perspektiven e integrimit të saj por edhe të rajonit në Evrope. Prandaj, një përzgjedhje e tillë, në gjykimin tim, është e papranueshme”, thekson Haxhinasto.

Emërimi dhe dekretimi i ministrave për Haxhinaston edhe pse përgjegjësi e kryeministrit duhet të jetë një proces konsultues mes tre institucioneve Kuvendit-Presidentit dhe Ekzekutivit. “Në kushtet kur Parlamenti ynë nuk e ka të parashikuar hallkën filtruese të kandidaturave përpara dekretimit (në formën e dëgjesave, siç e aplikon Kongresi Amerikan), hallkat e mbetura janë: dekretimi ose jo nga Presidenti i Republikës, miratimi ose jo me votë nga Kuvendi i dekretit të Presidentit (mazhoranca e ka të lehtë ta votojë me shumicë të thjeshtë), kontestimi në Gjykate Kushtetuese (jo-ekzistente). Në këto kushte, duket se i vetmi filtër kontrollues mbetet institucioni i Presidentit, edhe në dritën e përgjegjësive specifike direkt që ai ka për politikën e jashtme. Prandaj, mendoj se duhet durim dhe respekt për çdo minutë kohë që ky institucion kërkon për marrjen e një vendimi kaq kompleks dhe të rëndësishëm, siç është dekretimi i ministrit të Jashtëm”, thekson ish-kryediplomati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë