Politike

Haxhi Lleshi “Qytetar Nderi” i Dibrës, reagon PD: Skandal, të anulohet

Këshilli Bashkiak i Dibrës i ka akorduar presidentit të kohës së regjimit komunist, Haxhi Lleshit titullin ‘Qytetar Nderi”. Lajmi për vlerësimin e ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor u dha nga ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, e cila me anë të një postimi e cilëson si skandal një vendim të tillë. “Bijtë e ish-komunistëve, tashmë në pushtet, nuk po lënë figurë të sistemit gjakatar komunist, pa e kujtuar dhe rikthyer në piedestal. Një turp historik, vlerësimi dhe titujt për individë që me urdhra direkt kane vrarë e ekzekutuar dhjetëra të pafajshëm gjatë regjimit komunist. Dhënia një titulli të tillë për xhelatin e Dibranëve, dhe familjeve me emër Matjanevee, është i papranueshëm dhe duhet të anulohet një orë e më parë. I bëj thirrje Kryeministrit të kërkojë anulimin e urdhrit të tij për këtë akt të turpshëm të qarkut të Dibrës. Koha e komunistëve dhe bijve të tyre ka marrë fund para 30 vitesh. Promovimi i tyre nga ky pushtet, pas 3 dekadave është i papranueshëm”, shprehet Çupi.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10218517764809036&set=a.10202661832260632&type=3&theater


Ajo me anë të një statusi në Facebook shkruan se nuk mund të dekorohen xhelatët, me urdhër të të cilëve është vendosur për ekzekutimin e dhjetëra e qindra të pafajshmëve.
“Ky është rikthim në antivlerat dhe anti njerëzit e komunizmit. Një turp për Shqipërinë e 2019 dhënia e titullit te "nderit të Dibrës : ish Kryetar i Presidiumi të Kuvendit Popullor , ish- sekretarit të parë dhe anëtar i ish- Komitetit Qendror, Haxhi Lleshi”, thekson Çupi. Ish-deputetja në postimin e saj e shoqëron me foton e rendit të ditës së mbledhjes së këshillit bashkiak.
Përveç miratimit të buxhetit të shtetit në pikën 15 dhe 16 të rendit të ditës parashikohej dhënia e titujve të nderit për Haxhi Lleshin, si dhe për Klodian Tanushin, ushtarin e i cili ra në krye të detyrës më 10 Maj 2019 në Letoni, ku shpërthimi i një mine i mori jetën. Në motivacion thuhet se Major Klodian Tanushit i jepet ky titull “për sakrificën sublime, trimërinë, guximin dhe kontributin e lartë të vlerave më të shenjta të ushtarakut shqiptar, duke dhënë jetën në mbrojtje të paqes”.

Titulli dhe motivacioni i dhënë nga këshilli për Klodian Tanushin. Gazeta "Si", 23 dhjetor 2019


Ndërsa Gazeta “Si” ka mësuar gjithashtu edhe motivacionin e dhënies së titullit të nderit për Haxhi Lleshin. “Për kontribut të madh në organizimin, udhëheqjen dhe komandimin e Luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare në Qarkun e Dibrës, Shqipërinë, por edhe në mbarë trojet shqiptare”, është motivacioni i akordimit të këtij titulli, i firmosur nga sekretari Sadik Damzi, dhe përgjegjësi i sektorit Dashuri Leka.

Faksimile e motivacionit të akordimit të titullit për Haxhi Lleshin. Gazeta "Si", 23 dhjetor 2019


Kush është Haxhi Lleshi?
Haxhi Lleshi është presidenti më jetëgjatë në historinë e shtetit shqiptar, me 29 vjet, 3 muaj e 20 ditë. Madje, në detyrën e kreut të shtetit, Lleshi ka qëndruar edhe më shumë se Mehmet Shehu kryeministër, që e mbajti këtë detyrë me 27 vjet, 4 muaj e 28 ditë. Megjithatë, presidenca e Haxhi Lleshit, ose më saktë detyra e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, nuk ka ndonjë ngjarje për t’u shënuar. Me kompetencë të dobët, kjo presidencë, thjesht, përcillte letra, urime dhe dekorata që ishin vulosje të vendimeve marrë ose nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha, ose nga kryeministri, Mehmet Shehu. Fama dhe emri i Haxhi Lleshit lidhej më shumë me aktivitetin e tij me rezistencën, gjatë luftës së Dytë Botërore, se sa aftësitë e tij politike.

Mehmet Shehu, Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi, udhëheqësit më jetëgjatë të regjimit komunist. Gazeta "Si", 23 dhjetor 2019

Ai është, njëkohësisht, i pari president i shtetit shqiptar që është arrestuar, me ardhjen e sistemit të demokracisë dhe dënuar me dënimin me vdekje nga gjykata e Shkallës së Parë, për gjenocid dhe krim kundër njerëzimit. Por, më pas, Gjykata e Apelit e dënoi me 5 vjet, “liri me kusht”. Pas zbulimit të shumë krimeve të komunizmit dhe kërkesave të vazhdueshme të opinionit publik me dekretin nr. 1018, datë 13 shkurt 1995 të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste Haxhi Lleshit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit komunist. Në 1 janar 1997, në moshën 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë, ai ndërroi jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë