Gazeta Si – Zjarri po gllabëron gjithçka në ishullin e Hauait të Maui-t (Shtetet e Bashkuara të Amerikës).
Thatësira dhe uragani “Dora” kanë lehtësuar aq shumë përhapjen e flakëve, sa që aktualisht janë 36 viktima dhe mbi 2 mijë persona të zhvendosur, pas të paktën 13 operacioneve dhe evakuimeve të kryera nga autoritetet lokale.
Shumë njerëz u detyruan të zhyten në det për të shpëtuar veten. Vetë roja bregdetare shpëtoi 14 persona, përfshirë dy fëmijë, të cilët kishin ikur në oqean për t’i shpëtuar zjarrit dhe tymit.
Tre prej tyre kishin djegie të rënda dhe u dërguan në njësinë e djegieve në Qendrën Mjekësore Straub.
Të tjerët u dërguan në spitale të tjera në Honolulu. Të paktën 20 pacientë janë dërguar në Qendrën Mjekësore Memorial Maui.
Kështu, Hauai ka vendosur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka alarmuar Gardën Kombëtare për të lehtësuar operacionet për shuarjen e flakëve që po përfshijnë ishujt e arkipelagut dhe për të ndihmuar banorët dhe turistët të evakuojnë qytetet dhe plazhet.
Do të ishte pikërisht kombinimi thatësirë-uragan që ndezi flakët dhe vështirësoi shumë ndërhyrjen e zjarrfikësve, të cilët nuk kanë arritur ende të zbusin zjarret (ato do të kishin nisur të paktën në tre pika të ndryshme, të nxitura nga rrëmbimet e erës që arriti deri në këtë moment edhe 100 kilometra në orë).
Garda Kombëtare po ndihmon zjarrfikësit në ishullin Maui të përpiqen të shuajnë flakët, por zjarret janë aktualisht jashtë kontrollit.
Disa dëshmitarë tregojnë për mediat amerikane skenat e tmerrit dhe panikut, duke përshkruar një situatë apokaliptike, mes ndërprerjeve të energjisë dhe kolonave të tymit.
Sistemi shëndetësor vendor tashmë është nën presion, për shkak të numrit të madh të të djegurve, dhe numrat e urgjencës janë jashtë përdorimit
“Shtëpitë, aktivitetet tregtare, objektet akomoduese, gjithçka po shkatërrohet. Bilanci është shumë i rëndë dhe numri i të vdekurve mund të rritet më tej”, thotë kryebashkiaku i komunitetit West Maui të qytetit Lahaina, Richard Bissen, i përballur me një peizazh ferri, me zjarrin që ende nuk është shuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



