Nga Gazeta ‘Si’- Hashim Thaçi nuk ka pranuar akuzat për pengim drejtësie. Deklarimi i tij është bërë me datën 6 janar 2025.
Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, dhe mban firmën e avokates së Thaçit, Nina Tavakoli. Deklarimi vjen pas aktakuzës së dytë të ngritur, kësaj radhe për pengim të drejtësisë.
Thaçi nuk ka pranuar të deklarohet në dy seancat që u mbajtën në Hagë.
Thaçi ka mbajtur një fjalim në këtë seancë.
“Me siguri e dini se unë tash e katër vite përballem me një proces gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretues të historisë politike dhe kombëtare për lirinë dhe shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Është një proces vuluminoz. E di që shoqëria kosovare, familja ime presin me padurim fundin e këtij procesi, presin drejtësi për çka edhe besojmë në drejtësi.
“Krejt paparitmas para dy-tri ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkoj edhe sot nga të gjithë kudo që jemi ulur, në secilën anë apo në çfarëdo uniforme që jemi në këtë sallë, të respektohet Kushtetua e Kosovës sepse Dhomat e Specializuar janë produkt i Kushtetutës së Kosovës.
Unë nuk kam pasur mundësi për shkak të angazhimeve tjera të diskutoj në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana juaj prandaj do të deklarohem brenda afati kushtetues dhe ligjor” – ka thënë ai.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) ka ngritur akuzë të ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, nën pretendimin se ka penguar drejtësinë.
Në një komunikatë për media, ZPS ka bërë me dije se në këtë rast, ka arrestuar Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.
Po ashtu, në njoftim thuhet se është lëshuar fletëthirrje për paraqitje për Hajredin Kuçin, ish-ministër i Drejtësisë.
“ZPS-ja ngre akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë; arreston Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë; dhe lëshon fletëthirrje për paraqitje për Hajredin KUÇIN.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.
Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.” – thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.