Kosova

Hashim Thaçi në Hagë, hedh poshtë akuzat për krime lufte (video)

Tre muaj pas intervistimit nga Haga, Hashim Thaçi është ulur sot në bankën e Gjykatës Speciale, si i akuzuar për krime lufte. Megjithatë, me akuzën për vrasje të paligjshme dhe tortura, Thaçi ka vendosur të përballet jo si president, por si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë dorëheqjen disa orë përpara dërgimit në dhomat e paraburgimit në Hagë.

Thaçi po përfaqësohet nga njëri ndër avokatet më të mirë në botë, me përvojë mbi dy dekada në tribunale ndërkombëtare.

Thaçi po përfaqësohet nga avokati britanik David Hooper, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka trajtuar çështje të profilit të lartë. Pjesë e ekipit të avokatëve të Thacit është edhe amerikani Pierre-Richard Prosper, ish-prokuror dhe ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane.

Pala mbrojtëse tha se do të dorëzojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit.

Në fillim të seancës, avokati Hooper e ka pyetur Prokuorinë e Specializuar dhe gjykatësin e Procedurës Paraprake se ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, mbi të cilat u themelua Gjykata Speciale.

Ku janë këto pretendime për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historisë e Shtëpisë së Verdhë e cila ishte e rëndësishme për krijimin e kësaj gjykate”, tha Hooper, duke shtuar se asnjë nga këto pretendime nuk përmenden në aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit.

Avokati i Thaçit deklaroi se personin që Gjykata Speciale po e akuzon për krime lufte, presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur “George Washingtoni i Kosovës”

Kur gjykatësi e ka pyetur nëse i ka kuptuar akuzat, ish-shefi politik i UÇK-së është përgjigjur duke deklaruar pafajësinë.

“I nderuar gjykatës, aktakuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm”, ka deklaruar Thaçi.

Më pas avokati është përplasur me gjykatësin Guillou duke ngritur çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.

“Jo vetëm që është njollë për Kosovën dhe kosovarët kjo Gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova. Nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Ndoshta mund t’i kushtohet vëmendje kësaj. Nëse është Gjykatë e Kosovës, mund të kishim këtu shqiponjen e zezë me të kuqe”, ka pyetur avokati, duke mos i ditur mirë simbolet e Kosovës.

“Këto pretendime Thaçi i dinte se ishin gjepura, ai ndihmoi Komisionin Europian në krijimin e kësaj gjykate”, tha ai.

Avokati ka pasur vërejtje edhe për transferimin e Thaçit me pranga nga paraburgimi në sallën e gjyqit. Por, gjykatësi Nicolas Guillou ka thënë se s’mund të ketë trajtim special.

“Nuk ka trajtim të posaçëm për klientin tuaj. Ëështë procedurë që aplikohet për çdokënd që vjen në Dhomat e Specializuara”, ka thënë gjykatësi

Ndaj Thaçit rëndojnë akuzat për krime lufte si: ndalim arbitrar, akte të tjerat çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Alan Tieger nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javës do të japin informacione për mbrojtjen duke argumentuar se kanë vendosur që ta ndalojnë Thaçin që të ruajnë sigurinë e proceseve gjyqësore dhe të mbrojnë dëshmitarët si dhe për të parandaluar ndërhyrjen mbi drejtësi.

Sa i përket rrezikut për drejtësi, prokurori Tieger, i cili ka qenë prokurori kryesor në rastin ndaj Radovan Karaxhit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, përmendi disa nga aktivitetet e fundit të Thaçit, të cilat ai tha se mund të shihen si rrezik për ndërhyrje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i lexoi Thaçit të gjitha të drejtat dhe kërkoi nga palët që të deklarohen rreth një date për mbajtjen e konferencës statutore.

Pala mbrojtëse tha se sugjeron që konferenca statutore të mbahet më 30 nëntor.

Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Gjykata tha se krimet dyshohet se janë kryer ndërmjet periudhës prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi është përgjegjës për këto vepra penale.

Tribunali Special ka shkaktuar një tërmet politik në Kosovë kur pas një aksioni disa ditor arrestoi katër prej fytyrave kyce të shtabit të UCK-së dhe krerë të institucioneve kryesore të shtetit që nga pas lufta.

Ish-presidenti Hashim Thaci, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi u nisën drejt Hagës pas arrestimit që pasoi me bastisje disa orëshe nëpër zyra të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe shtëpitë e të njëjtëve.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të aktakuzes për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Veprat që, sipas aktakuzës, rëndojnë ndaj Thaçit kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë