Politike

Hasani: Rënia e regjimit të Assad, mundësi e re për rikthimin e shqiptarëve nga Siria

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se përpjekjet për riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë në Siri nuk janë ndërprerë asnjëherë dhe se largimi nga pushteti i Bashar Al Assad krijon mundësi të reja për rikthimin e tyre në atdhe.

“Edhe përpara situatës së fundit të rënies së regjimit diktatorial të Assad në Siri, Taskforca e ngritur për menaxhimin e mundësisë së tërheqjes së qytetarëve shqiptarë nga Siria, ka punuar maksimalisht”, tha Hasani, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Hasani, duke mos dhënë detaje, informoi se ka pasur plane konkrete në bashkëpunim edhe me ministrinë e Brendshme dhe partnerët strategjik.

“Dhe me ministrin Ervin Hoxha kemi qenë jo vetëm në kontakte të Vazhdueshme por dhe kemi pasur plane konkrete për të cilat do më lejoni të mos hyj në detaje për riatdhesimin e shtetasve shqiptare në koordinim të ngushtë me partnerët strategjik”, u shpreh ai.

Sipas tij, misioni vazhdon dhe ndërrimi i regjimit krijon mundësi të reja.

“Kjo punë vazhdon. Autoritetet e reja kanë ndryshuar shumë nga mundësitë dhe kanë hapur alternativa të reja angazhimi, për të cilat ne do të maksimalizojmë punën dhe përpjekjet që çdo shqiptar, kudo ku është, me vullnetin e vet të lirë të ketë mundësinë të vijë në vendin e vet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë