Politike

Hasani: I bëjmë thirrje Iranit të ndalë aktivitetet bërthamore!

Nga Gazeta ‘Si’- ‘Shqipëria mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e saj nga kërcënimet.’

Kështu deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani në fjalën e tij në ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP) që po mbahet në Tiranë.

Ai u bëri thirrje edhe Izraelit dhe Iranit për vetëpërmbajtje.

“Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e vetë nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet bërthamore dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Zhvillimi i armëve bërthamore do kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Shqipëria iu bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe për zgjidhje të qëndrueshme politike”, tha ai.

Mandej ai përsëriti sërish ambicien e Shqipërisë për t’u integruar në BE brenda kësaj dekade.

“Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugëtimin e vet transformues, agjenda jonë e reformave nxitet nga angazhimi ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Zgjerimi i BE nuk është vetëm një proces politik, por edhe një investim strategjik në stabilitet e paqe për Evropën.

Me çeljen e grupkapitujve negociues, Shqipëria është në rrugën e duhur për të çuar përpara anëtarësimin. Synimi ynë është ambicioz por edhe i arritshëm për të çelur deri në fund të këtij viti dhe të përmbyllim negociatat deri në 2027. Po punojmë me vendosshmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade.  Ky është objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë