Shendet

Hartat / Si Lija e Majmunit po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën

Sëmundja njihet si Lija e Majmunit, por shkencërisht përkufizohet si mpox, për të shmangur stigmën e këtij përkufizimi.

Nga Gazeta ‘Si’- Shpallja e Lisë së Majmunit emergjencë globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar njerëzit se virusi mund të përhapet shpejt përtej kufijve ndërkombëtarë.

Vatra nisi nga Afrika ku OBSH-ja tha se ka pasur më shumë se 14.000 raste dhe 524 vdekje këtë vit, të cilat tashmë i tejkalojnë shifrat e vitit të kaluar.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, agjencia tha se rastet janë rritur me 160% dhe vdekjet janë rritur me 19%.

Deri më tani, më shumë se 96 për qind e të gjitha rasteve dhe vdekjeve ishin në një vend të vetëm – Kongo. Por rajonet e tjera po preken me shpejtësi. Simptomat, siç raportojnë faqet shëndetësore institucionale, përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskulore, dhimbje në shpinë dhe dhimbje në nyjet limfatike, të ndjekura nga shfaqja e puçrrave në lëkurë.

Grafiku i mëposhtëm tregon se numri i rasteve mujore të konfirmuara me Linë e Majmunit, e raportuar globalisht në gjashtë muajt e fundit (1 janar 2024 – 30 qershor 2024) luhatet midis 700 dhe 1000 raste (mesatarisht 866 raste në muaj).

Shumica e rasteve të raportuara janë në Rajonin Afrikan, ndjekur nga SHBA-të dhe nga Europa.

Ky raport, më i fundit i publikuar nga OBSH-ja (12 gusht 2024) pëmend gjithashtu se shumë vende kanë raportim të vonuar. Raportimi i përditësuar i tyre mund të ndryshojë jo pak trendin e përgjithshëm global të shteteve që janë prekur nga Lija e Majmunit.

Në qershor 2024, 16 nga 26 (62%) vendet raportuese treguan një rritje të rasteve në krahasim me majin 2024.

Republika Demokratike e Kongos raportoi rritjen më të lartë relative në Rajonin Afrikan (543 kundrejt 459), Spanja (54 kundrejt 38) raportoi rritjen më të lartë në Rajonin Europian, Kolumbia ( 11 kundrejt 0) raportoi rritjen më të lartë në Rajonin e Amerikave, Australia (64 kundrejt 33) raportoi rritjen më të lartë në Rajonin e Paqësorit Perëndimor dhe asnjë vend deri tani nuk raportoi rritje në rajonin e Azisë Juglindore, sipas OBSH-së.

Edhe Amerika e prekur

Lija e Majmunit është zbuluar gjithashtu edhe në ujërat e zeza në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave më të fundit të përditësuara, në harkun kohor nga 10 korriku deri në 6 gusht, zbulimi mbetet ende i ulët, me vetëm tre vende që tregojnë teste pozitive: dy në Kaliforni dhe një në Illinois.

Zbulimet e rasteve në SHBA janë të gjitha në përputhje me llojin origjinal të virusit nga shpërthimi i vitit 2022, i njohur si clade II.

Deri më tani, 1.122 raste me Linë e Majmunit janë raportuar në Shtetet e Bashkuara këtë vit. Shumica e rasteve të reja janë raportuar tek njerëzit në grupet me rrezik më të lartë që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës.

Ku ndryshon shpërthimin aktual krahasuar me epideminë e vitit 2022?

Gjatë shpërthimit global të Lisë së Majmunit në vitin 2022, meshkujt homoseksualë dhe biseksualë përbënin shumicën dërrmuese të rasteve dhe virusi u përhap kryesisht përmes kontaktit të ngushtë, përfshirë seksin.

Megjithëse disa modele të ngjashme janë parë në Afrikë, tashmë fëmijët nën 15 vjeç përbëjnë më shumë se 70 për qind të rasteve me Linë e Majmunit dhe 85 për qind të vdekjeve në Kongo.

Greg Ramm, drejtor i Save the Children’s në Kongo tha se organizata ishte veçanërisht e shqetësuar për përhapjen e Lisë së Majmunit në kampet e mbushura me njerëz për refugjatët në lindje, duke vënë në dukje se kishte 345.000 fëmijë “të ngjeshur në tenda në kushte josanitare”.

Ai tha se sistemi shëndetësor i vendit tashmë po “kolapsohej” nën presionin e kequshqyerjes, fruthit dhe kolerës.

Dr. Boghuma Titanji, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Emory, tha se është e paqartë pse fëmijët u goditën në mënyrë kaq disproporcionale nga Lija e Majmunit në Kongo.

Ajo tha se mund të jetë për shkak se fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj virusit ose që faktorët social, si mbipopullimi dhe qëndrimi me prindërit që janë prekur nga sëmundja, mund ta shpjegojnë atë.

Burimi: OBSH; News week / Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë