Kosova

HARTA/ Serbia publikon emrat e policëve të arrestuar, përplasjet me Prishtinën për vendin ku u kapën

Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi janë tre policët që janë ndaluar nga Serbia, ku Prishtina zyrtare i cilëson si një rrëmbim pasi kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Dyshimet e Policisë së Kosovës janë se ata janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, ka deklaruar se rrëmbimet forcat serbe i kanë përdorur edhe në të kaluarën si metodë për mbrojtjen e kriminelëve. Kelani ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti, duke theksuar se policët po kryenin detyrat e veta.

“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës në zonën kufitare në veri dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Ka ndodhur një rrëmbim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës thekson se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtar në pikë statike në vendin e quajtur Bare, në territorin e Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare që të parandalojnë veprimet ilegale, grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale, të parandalojnë mallrat dhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë ai. Ai ka demonstruar me hartë edhe pamjet.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrisë së Brendshme Serbe ku me anë të një konference të shkurtër shprehen se tre policët kishin kaluar vijën administrative (nënkupton kufirin), 1 kilometër në pjesën serbe në zonën e Rashkës.

“Dua t'ju njoftoj se me datë 14.6.2023. në orën 12:38 në zonën administrative thellë në territorin e Serbisë Qendrore, grupi antiterrorist MPB ka lokalizuar tre pjesëtarë të policisë së Kosovës. Kanë qenë me mjete ushtarake udhëtimi, kanë pasur tre automatikë, municion, harta dhe GPS, kanë mbërritur në vendkalimin administrativ me një mjet tip "Dacia", kanë lënë mjetin dhe kanë vazhduar në këmbë përtej kufirit, ku janë lokalizuar dhe arrestuar. Vendi arrestimi është në komunën e Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi në territorin e Serbisë. Serbia është shtet serioz dhe anëtarët e MPB-së nuk kanë qenë afër vijës administrative dhe nuk kanë shkelur rezolutën 1244, policia do të vazhdojë hetimet në bashkëpunim me prokurorinë”, deklaroi sekretari shtetëror i MPB-së, Zheljko Brkiç.

Mohimi i rrëmbimit, erdhi edhe nga drejtori i Zyrës për Kosovën , Petar Petkoviç, në një konferencë për media, ka thënë se tre policë të Kosovës janë arrestuar në zonën e fshatit Gnilicë të Rashkës.

“Pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës. Ata që kanë shkelur Rezolutën 1244 janë terroristët shqiptarë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai, duke i cilësuar policët shqiptarë si terroristë.

“Çfarë kërkojnë atje, cili ishte plani për të kaluar vijën administrative. Hetimi do ta përcaktojë këtë”, tha Petkoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë