Drejtësia

Harta e re gjyqësore, avokatët protestojnë edhe në Kurbin

Gazeta Si – Për të dytën ditë me radhë, avokatët e qarkut të Lezhës kanë protestuar kundër hartës së re gjyqësore të propozuar nga KLGJ.

Protestës i janë bashkuar edhe avokatët e Kurbinit, të cilët të shoqëruar nga qytetarë të ndryshëm, kërkojnë rishikimin e reformës.

Sipas tyre, një vendim i tillë, do të sillte mbylljen e Gjykatës së Kurbinit dhe 90 mijë banorë do të mbeteshin të bllokuar.

Përveç protestës, ashtu siç ishte paralajmëruar, këtë të mërkurë ka vijuar edhe bojkoti i masave të sigurisë.

Pjesë e protestës kanë qenë edhe deputetët e PD-së, Kastriot Piroli dhe Elda Hoti.

Protestë kundër hartës së re gjyqësore, pritet që të ketë sot pasdite edhe në Shkodër.

Harta e re gjyqësore parashikon 13 Gjykata të Shkallës së Parë, 2 Gjykata Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli për të gjithë vendin.

Një ditë më parë, përveç bojkotit të gjyqeve, u protestua në rrugë në Shkodër dhe Vlorë.

Gjithashtu kryetari I Dhomës Kombëtare, të Avokatisë ka nisur një tur takimesh në rrethe për të sqaruar kolegët me hapat që do të ndërmarrin lidhur me hartën e re gjyqësore.

Bojkoti i seancave gjyqësore, është parashikuar deri të premten e 24 qershorit.

Dhoma e Avokatisë  vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca, sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.

KLGJ ka miratuar draftin, i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave.

Me vendimin e ri, shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë