Drejtësia

Harta e re gjyqësore, avokatët në protestë. Haxhia: Hapi i fundit Gjykata Kushtetuese

Gazeta Si – Avokatët kanë protestuar këtë të enjte përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor në shenjë revolte kundër propozimit për hartën e re gjyqësore.

Avokatëve u është bashkuar edhe kreu i Dhomës Kombëtare të avokatëve, Maksim Haxhia, i cili ka thënë se harta duhet të bashkohet, pasi sjell problematika.

Sipas Haxhisë, nëse kërkesat e avokatëve nuk merren parasysh nga qeveria, hapi i fundit do të jetë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese.

“Do të prezantojmë në mënyrë finale qëndrimin tonë në lidhje me Hartën e re Gjyqësore. Nuk ndihemi aspak të humbur që s’u morën parasysh problematikat. Ia bëmë të qartë të gjithë publikut që kjo hartë gjyqësore do të jetë në kosto të shërbimit dhe kohës së tyre të vyer, – tha Haxhia. – Një thirrje e fundit për KLGJ dhe qeverinë për ta riparë edhe një herë. I sigurojmë që kjo hartë do të krijojë problematika më të mëdha. Nuk vendosim vija të kuqe, kemi paraqitur argumentet tona, drejtësia të jetë efektive dhe e realizueshme. Kemi propozuar shumë variante, më se të realizueshme dhe rezultatet janë bindëse. Kushtetuesja është hapi i fundit. Nuk bëjmë protestë për të treguar forcën tonë”.

Një ditë më parë, avokatët që thyen vendimin për bojkotin, u përballën me Komitetin e Disiplinës. Ndaj një avokati nga Fieri, u mor masë disiplinore pezullim 3 mujor të licencës,  11 kërkuan kohë dhe për 3 të tjerë u rrëzuan kërkesat për masë disiplinore.

Prej tre javësh avokatët në të gjithë vendin janë në grevë, duke bojkotuar seancat, si reagim i hartës së re gjyqësore  që pritet të miratohet nga qeveria.

Por bojkoti i tyre ka shfaqur edhe  probleme sociale, pasi shumica e mbrojtësve ligjore duhet të paguajë detyrimet.

Ndërsa ata po përballen edhe me reagimet e klientëve, të cilët kërkojnë të shkojnë në seancat gjyqësore.

Avokatët vazhdojnë bojkotin prej disa javësh, ndonëse të përçarë, ndërsa qeveria e gjyqësorit nuk zmbrapset dhe këmbëngul se të gjitha Gjykatat e Apelit duhet të mblidhen në një të vetme në Tiranë.

Këtë të martë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, deklaroi se do të paraqesë mendimin e institucionit që ai drejton në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, që mbahet të mërkurën, duke lënë të kuptohet se do të kalojë për miratim së shpejti.

KLGJ, si pasojë e mungesës së gjykatësve për shkak të shkarkimeve nga Vettingu, propozoi që në Shqipëri të ketë vetëm 12 Gjykata të Shkallës së Parë nga 23 që ishin dhe vetëm një Gjykatë Apeli që do të vendoset në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë