Prej gati gjysmë shekulli, Irani është përgatitur për një luftë me Shtetet e Bashkuara. Duke mos qenë në gjendje të rivalizojë fuqinë ushtarake amerikane, Teherani është fokusuar në mënyra për t’i shkaktuar kosto të rënda që mund të tronditin Lindjen e Mesme dhe ekonominë globale.
Edhe pse negociatat vazhdojnë, ushtria amerikane po forcon praninë ajrore dhe detare në rajon. Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet për ndryshim regjimi dhe ka paralajmëruar se mund të godasë Iranin, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë.
Megjithëse i dobësuar nga sulmet izraelite dhe amerikane verën e kaluar dhe nga trazirat e brendshme, regjimi iranian ka ende disa opsione për t’u kundërpërgjigjur – nga goditja e interesave amerikane dhe Izraelit, te mobilizimi i grupeve aleate dhe ndërprerja e ekonomisë globale.
Si do t’i përdorë Teherani këto mjete varet nga niveli i kërcënimit që percepton. Sipas ekspertit Farzin Nadimi, nëse regjimi e sheh situatën si luftë ekzistenciale, mund të përdorë të gjitha kapacitetet që ka.
Raketat dhe dronët
Irani besohet se ka mijëra raketa dhe dronë në rreze veprimi ndaj trupave amerikane në Lindjen e Mesme dhe ndaj Izraelit. Në qershor, pas një sulmi izraelit, Irani lëshoi valë raketash balistike dhe dronësh që arritën të depërtonin mbrojtjen ajrore izraelite. Zyrtarët iranianë thonë se rezervat janë rimbushur.
Dronët Shahed janë përdorur edhe nga Rusia në Ukrainë. Irani ka zhvilluar mbi 20 lloje raketash balistike me rreze të ndryshme, disa prej të cilave mund të arrijnë deri në Europën Jugore. Zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se edhe pse teknologjia iraniane është më e vjetër, ajo mbetet kërcënim real.
Rrezet e mbulimit të armëve iraniane deri në 3 mijë km

Mobilizimi i aleatëve rajonalë
Izraeli ka goditur rëndë rrjetin rajonal të grupeve të mbështetura nga Irani, por ato kanë premtuar se do ta mbrojnë Republikën Islamike. Milici në Irak si Kataeb Hezbollah dhe Harakat al-Nujaba, si dhe Hezbollahu në Liban, kanë paralajmëruar se do të ndërhyjnë nëse Irani sulmohet.
Megjithatë, këto grupe përballen me kufizime. Hezbollahu është dobësuar pas konfliktit me Izraelin, ndërsa milicitë irakiane përballen me presion nga qeveria qendrore dhe SHBA. Huthit në Jemen mbeten një nga mjetet më agresive të Iranit dhe kanë kërcënuar me sulme ndaj objektivave amerikane dhe rajonale.
Bazat ushtarake amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme

Lufta ekonomike
Irani ka paralajmëruar se një luftë nuk do të kufizohej në rajon, por do të trondiste ekonominë botërore. Një nga mjetet kryesore është Ngushtica e Hormuzit, ku kalon mbi një e pesta e naftës botërore dhe sasi të mëdha gazi natyror të lëngshëm. Teherani ka kërcënuar ta mbyllë atë në rast sulmi.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe ndërprerje të pjesshme do të shkaktonin rritje të madhe të çmimeve të energjisë, çrregullime në zinxhirët e furnizimit dhe rrezik recesioni global. Megjithatë, një hap i tillë do të dëmtonte edhe vetë Iranin dhe fqinjët e tij.
Irani ka investuar për dekada në flotë detare, nëndetëse dhe mjete asimetrike si mina detare dhe dronë, të cilat mund të kërcënojnë transportin në Gjirin Persik. Historia tregon se Teherani ka përdorur më parë mina dhe sulme ndaj cisternave të naftës për të ushtruar presion.
Sipas ekspertëve, nëse shpërthen një konflikt i ri, ai mund të nisë jo në Teheran, por në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin Persik – me pasoja globale.
Ngushtica e Hormuzit, pikë kyçe e ekonomisë botërore

/cnn
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje