Pa u ftohur ende debati i nxehtë mbi atë se çfarë u diskutua në takimet informale në Berlin mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt, Kryeministri i Kosovës priti në një takim disa drejtues të partive opozitare të Shqipërisë.
Fatmir Mediu, Agron Duka, Vangjel Dule dhe Nard Ndoka u takuan me Haradinajn në Prishtinë. Se çfarë u diskutua në këtë bisedë mes tyre, Kryeministri i Kosovës e përmblodhi zyrtarisht përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i frytshëm dhe në këtë aspekt, dialogu midis tyre vazhdon të jetë i hapur. Në kontekst të këtij dialogu, prita sot në takim Kryetarët e partive opozitare Fatmir Mediun, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule me të cilët u dakorduam se bashkërendimi i qëndrimeve është në interes të dy shteteve dhe qytetarëve tanë. Është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike”, shkruan Kryeministri i Kosovës.
Nga formati i takimit gjasat janë që pjesë e bisedës të ketë qenë edhe kriza politike e Tiranës. Opozita në Shqipëri doli në krah të Haradinajt në debatin mes tij dhe Edi Ramës sa i takon diskutimeve në samitin e Berlinit. Haradinaj akuzoi Kryeministrin e Shqipërisë dhe Presidentin e Kosovës se në biseda informale i kanë ushtruar presion edhe më shumë se vetë Aleksandër Vuçiç për heqjen e taksës 100 për qind ndaj prodhimeve serbe.
Rama reagoi duke i cilësuar si të pavërteta deklaratat e Haradinajt dhe e akuzoi atë se po gënjente për të fituar mbështetje popullore. Por, opozita në Shqipëri u rreshtua shpejt në krah të Kryeministrit të Kosovës.
“Kryeministri Haradinaj duhet të flasë hapur të gjithë të vërtetat, sepse Rama ka kohë që i bën presion për shkëmbim territoresh, fare hapur për lënien e Mitrovicës. Ta quash Haradinajn gënjeshtar, është turp i Ramës që gënjen e fyen çdo gjë shqiptare, çdo sakrificë të Kosovēs e shqiptarëve. Rama është kumbari i idesë së ndarjes së Kosovës, siç deklaroi dhe Edita Tahiri. Ideator bashkë me Vucic, i shkëputjes së Kosovës së Veriut nga territori i Kosovës, duke shtuar si përrallë idenë e marrjes së Luginës së Preshevës. Mjerë ata që besojnë se Rama ka brenda vehtes ndonjë grimcë dashurie e përgjegjësie për Kosovën apo kombin. Për të, çdo gjë është në shitje përballë interesit të pushtetit të tij personal”, deklaronte më 2 maj kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Për opozitën shqiptare, Ramush Haradinaj dhe samiti i Berlinit rrëzoi projektin, sipas saj, të dyshes Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




