Bota

Hapi kufijtë me BE dhe Serbinë, Greqia vijon “bllokadën” për Shqipërinë

Greqia ka shtyrë sërish hapjen e pikës kufitare të Kapshticës me Shqipërinë, ndonëse pak ditë më parë vendosi të hapë kufijtë për turistët e vendeve të BE dhe disa vendeve të tjera, duke përjashtuar vendin tonë. Autoritetet greke kanë njoftuar Policinë Shqiptare të Kapshticës kjo se kjo pikë kufitare do të vijojë të jetë e bllokuar deri më 26 prill.

“Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur”, thekson në një njoftim Policia e Kapshticës. “Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.”

Pas disa muajsh izolimi të pjesshëm, Greqia ka hequr sot masat kufizuese për udhëtarët nga BE dhe pesë vende të tjera, përfshirë Serbinë, por jo vendin tonë.

Ndërkohë, kufijtë me Serbinë do të hapen duke filluar nga java e ardhshme, falë një marrëveshje të lidhur mes dy vendeve disa javë më parë. Greqia, e cila po përpiqet të shpëtojë sezonin turistik, ka lidhur një sërë marrëveshjesh me vende si Izraeli, Britania, Emiratet Arabe, SHBA dhe Serbia, për të pranuar turistët e huaj vetëm me certifikatë vaksinimi dhe një tampon negativ. Së fundmi autoritetet greke njoftuan se do të pranojnë të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Serbia, madje edhe për dozat e vaksinave që nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të tilla si vaksinat ruse dhe kineze.

Por Greqia ka mbyllur kufijtë tokësorë për më shumë se një vit për shqiptarët. Vendimi është vendosur vitin e kaluar, gjatë karantinës së parë në mars dhe prej atëherë zgjatet çdo dy javë.

Vendkalimi kufitar i Kakavijës me Shqipërinë punon nga ora 07.00 deri në orën 19:00 dhe lejohet hyrja e vetëm disa kategorive të caktuara, me test negativ ose me test të shpejtë të bërë nga autoritetet greke. Nga kjo pikë kufitare nuk lejohet kalimi i më shumë se 400 personave në ditë, të cilët janë të detyruar të qendrojnë në karantinë 14 ditë.

Po ashtu Greqia po lejon hyrjen e shqiptarëve për arsye absolutisht të domosdoshme profesionale ose mjekësore, për të cilat kanë edhe vërtetimet e nevojshme, për kamionët transportues, si dhe për tranzit të automjeteve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak ose administrativ të vendeve anëtare të BE-së.

Po ashtu, Greqia ka ndalur edhe udhëtimin me avionë drejt vendit fqinj, edhe pse para disa ditësh njoftoi se do të lejonte udhëtimet ajrore nga vendet e treta. Të vetmit që mund të udhëtojnë me avion drejt vendit fqinj janë rezidentët, personeli mjekësor, diplomatët dhe punëtorë sezonalë bujqësorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë