Sociale

Hapet spitali i ri i Laçit, Rama: Nuk kemi boshllëk edhe pse ikin mjekë e infermierë

Gazeta Si -Thuajse 3 vjet pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, spitali i ri i Laçit ka hapur dyert këtë të hënë.

Në inagurimin e kërtij spitali ishin të rëndësishëm dhe kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Në fjalën e tij para stafit, Rama komentoi edhe për mjekët dhe infermierët që largohen nga vendi, duke theksuar se nuk ka boshllëqe.

“Dua ta theksoj sepse shpesh herë dëgjojmë të përsëritet që s’kemi mjekë, s’kemi infermierë, kanë ikur të gjithë. Në fakt, për hir të vërtetës ne nuk e kemi një boshllëk të tillë, pavarësisht të pamohueshmes që ka mjekë e infermierë që provojnë veten dhe kërkojnë një eksperiencë gjetkë", tha Rama.

Duke bërë një krahasim me të shkuarën, shefi i qeverisë shtoi: “Ne sot në sistemin spitalor kemi shpërndarje e prani më të plotë e të racionalizuar sesa kishim vite më parë kur trashëguam një gropë të madhe e të pashpjegueshme të mungesës së specialistëve prej mbylljes së specializimeve. Një vendim i marrë nga qeveritë e mëparshme që nuk ia gjejmë dot shpjegimin”.

Ministrja Manastirliu u shpreh se në spitale ka personel të specializuar jo vetëm godina të reja. Gjatë fjalës së saj ajo tha se ka ikur koha kur spitalet ishin si tregje të gjësë së gjallë.

Spitali i ri i Laçit i rindërtuar nga themelet, investim i qeverisë shqiptare, është pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar.

Ka një kapacitet prej 40 shtretërish dhe do të ofrojë shërbimet e urgjencës; të imazherisë; laboratorit; kirurgjisë; patologjisë; maternitetin dhe pediatrinë; fizioterapinë, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë