Ngjarje

Hapet për herë të parë kursi i gjuhës shqipe në Universitetin Katolik të Uruguait

Gazeta “SI”-Uruguaianët kanë tashmë një mundësi të re për t’u njohur me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Universiteti Katolik i Uruguait ka hapur për herë të parë një kurs universitar të gjuhës shqipe, i cili do të zhvillohet online dhe do të jetë i nivelit fillestar (A1).

Nisma është ndërmarrë nga studiuesi Juan Manuel Montoro, i cili prej gjashtë vitesh është i angazhuar në projekte të ndryshme në Kosovë. Sipas tij, mësimi i shqipes ka qenë një hap i natyrshëm për të kuptuar më mirë rajonin e Ballkanit dhe për të ndërtuar bashkëpunim më të qëndrueshëm akademik e profesional.

“Kjo ide u mbështet menjëherë nga Qendra e Gjuhëve e Universitetit. Edhe pse Uruguai është një vend i vogël, ai është pjesë e një komuniteti hispanofolës me mbi 600 milionë njerëz. Audienca jonë potenciale është pikërisht ky komunitet më i gjerë, ku qasja në mësimin e gjuhëve të veçanta është e kufizuar”, ka deklaruar Montoro.

Kursi do të zgjasë 60 orë mësimore dhe do të zhvillohet të shtunave. Ai synon t’u ofrojë pjesëmarrësve aftësi bazë komunikimi në situata të përditshme, me theks në përdorimin praktik të gjuhës, si dhe njohje me kulturën shqiptare dhe atë ballkanike. Regjistrimet janë të hapura nga data 19 janar, ndërsa për hapjen e kursit kërkohen së paku 10 pjesëmarrës.

Mësimdhënia do të realizohet nga Jehona Kadriu, e cila thekson se ky kurs ka për qëllim jo vetëm mësimin e gjuhës, por edhe afrimin kulturor.

“Synimi është të promovojmë gjuhën dhe kulturën shqiptare te folësit e spanjishtes, duke i ndihmuar ata të zbulojnë potencialin dhe pasurinë e saj”, ka thënë ajo.

Kadriu vëren se shumica e burimeve ekzistuese për mësimin e shqipes si gjuhë e huaj janë në anglisht, ndaj ky kurs përbën një risi, pasi u drejtohet drejtpërdrejt folësve të spanjishtes. Sipas saj, interesimi për Shqipërinë dhe Kosovën është rritur vitet e fundit, i nxitur nga turizmi, sporti dhe dukshmëria kulturore në rritje.

Universiteti e sheh këtë kurs si një projekt pilot, i cili, nëse rezulton i suksesshëm, mund të zgjerohet edhe në nivele më të avancuara dhe të shërbejë si model për mësimin online të gjuhëve më pak të përhapura në hapësira të reja akademike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë