Politike

Hapësirat publike, Rama anulon legalizimet dhe paralajmëron punonjësit e ALUIZNI-t dhe Kadastrës

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama njofton se qeveria do të marrë masa të ashpra për të luftuar legalizimet e paligjshme në hapësirën publike.

Për të gjitha rastet ku janë ngritur tenda hekuri me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, duke marrë dokumente legalizimi, do të ketë zero tolerancë dhe anullim ligjor.

Kryeministri thekson se ky është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur hapësirat publike dhe për të garantuar rendin dhe ligjin në territorin shqiptar.

”Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona” shkruan Rama në postim.

Kreu i qeverisë, prej disa ditësh ka paralajmëruar të gjitha bizneset që kanë zënë padrejtësisht hapësirat publike.

Në këtë mënyrë, me urdhër të Ramës, nisi dhe aksioni i IKMT-ve në vend për lirimin e këtyre hapësirave. E njëjta gjë ndodhi dhe në zonën e Thethit, ku u shembën rreth 70 struktura pa leje, që kishin zaptuar hapësirën publike.

Ky aksion i IKMT-së soli reagim të ashpër të pronarëve të këtyre strukturave si dhe të banorëve të zonës, por brenda një jave u kompletua i gjithë operacioni i shembjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë