Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe të papenguar, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit të shtunën pasdite.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare. Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.
LEXO EDHE:
Barikadat serbe në kufi: Bërnjaku dhe Merdarja ende të mbyllura, në Jarinë vijon qarkullimi! Shoqatat serbe në protestë
Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.
Dragisha Miriqit, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.
Miriq tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.
Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.
Të shtunën në mëngjes, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit.
“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.
Xhelal Sveçla tha të premten se këto dy pikëkalime në Merdare dhe Bërnjak ishin mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit i kishin "ndaluar në mënyrë selektive e me qasje fashiste" qytetarët që donin të kalonin transit përmes Serbisë.
Sveçla tha se e gjithë kjo ka ndodhur “para syve të policisë serbe”.
Mediat e Prishtinës kanë vërejtur persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se vendosja e bllokadave nëpër pikë-kalimet kufitare nga ana e Serbisë është bërë me qëllim që të krijohet tension dhe të destabilizohet paqja dhe siguria në Kosovë e rajon.
Ajo tha se në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e Brukselit, Serbia po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë.
Osmani u bëri thirrje aleatëve që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë siç thotë ajo, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë.
Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada.…I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, tha Osmani.
Ndër të tjera, e para e vendit, Vjosa Osmani tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë që mos të lejohet krijimi i tensioneve brenda territori të Republikës së Kosovës.
“Reagimi institucional i Kosovës siç e dini veçse po ndodhë. Ka një kohë të gjatë që ne kemi mbledhur prova lidhur me këtë. Është bërë thirrje publike qe qytetaret mos të shfrytëzojnë ato pika kufitare. Janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë që mos të lejohet që ky destabilizim të krijojë tensione brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me aleatët tanë”, potencoi Osmani.
Këtë deklarim Osmani e bëri pas zbulimit te shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë.
Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.
Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.
Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.
Por, Qeveria e Kosovës thotë se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.