Këtë të enjte po zhvillohet procesi i zgjedhjes së specializimeve në Mjekësi. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin ku u shpreh se tashmë "për të shtatin vit radhazi, është krijuar qëndrueshmëri në këtë proces".
“Në këto shtatë vite janë hapur më shumë se 1400 kuota specializimesh. Këtë vit hapim 318 kuota, ku 125 kuota janë për Ministrinë e Shëndetësisë, pra që do të plotësohen në momentin që do të përfundojë ky cikël specializimesh”, shpjegoi Manastirliu.
Ajo shtoi se nevojat në vend për specialitete janë të shumta, duke filluar nga specialitetet e kardiologjisë, të anestezi-reanimacionit, imazherisë, sëmundjeve interne e të tjera.
Duke folur në vijim për plotësimin e nevojave me mjekë specialistë, Ministrja shtoi se këtë vit përfundojnë ciklin e parë të kontratave, specializantët e parë të punësuar, pas rihapjes së specializimeve.
“Një pjesë tjetër të cilët kanë përfunduar kontratat dhe obligimin për të qëndruar në spitalet e rretheve, janë duke u sistemuar në gjithë shërbimin shëndetësor publik. Bashkë me Universitetin e Mjekësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ne kemi vendosur që të rrisim dhe numrin e kuotave të pranimit për studentët në Mjekësi dhe kemi synimin që duke filluar nga ky vit, viti akademik 2022-2023, ne të shtojmë me 100 deri në 150 kuotat e pranimit në Fakultetin e Mjekësisë”, tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.