Orët e para të mëngjesit të së shtunës në Evropë, u ndanë mes Ferrari-t dhe Mclaren në “Chinese Grand Prix”. Lewis Hamilton dhe Ferrari fituan për të parën herë një garë Sprint në fundjavën e dytë të këtij sezoni. Për britanikun ishte suksesi i parë me skuadrën e re pas të dytit Pole Position në Sprint që vendosi një ditë më parë. Oscar Piastri u rendi i dyti pasi arriti të parakalonte Max Verstappen që plotësoi podiumin në eventin e parë Sprint 2025.

Lando Norris që u nis nga vendi i 6 e mbylli Sprint-in në vendin e 8 ndërsa Williams u ndëshkua me një gjobë prej €50.000 për shkak të një problemi me kameran. Zonën pikëve në Sprint e plotësuan Russell (Mercedes), Leclerc (Ferrari), Tsunoda (Racing Bulls) dhe Antonelli (Mercedes). Tre orë pas përfundimit të Sprintit, skuadrat u kthyen në pistën e Shanghait për Provat Zyrtare të Garës së nesërme. Pas vendit të dytë në Sprint, Oscar Piastri la pas rivalin e Mercedes, George Russell dhe shokun e skuadrës Lando Norris duke vendosur të parin “pole position” në karrierën e tij në Formula 1.

Australiani vendosi fillimisht kohën 1’30”703 në xhiron e parë të sesionit të 3 kualifikues. Për ta përmirësuar në 1’30”641 në tentativën e dytë duke lënë pas Russell më 1 të dhjetën e sekondës dhe vendosur kohën më të shpejtë në historinë e “Chinese Grand Prix”. Rekord që mbahej prej Hamilton nga dita e djeshme. Russell nuk bëri më mirë se rradha e parë përkrah Piastri-t duke lënë në rradhën e dytë, kryesuesin e klasifikimit të pilotëve, patriotin Norris.

Kampioni në fuqi Max Verstappen plotësoi rradhën e dytë i ndjekur nga dy makinat Ferraris me Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc në vendet 5 dhe 6 respektivisht. Racing Bulls bëri një paraqitje të shkëlqyer duke renditur Isack Hadjar në pozicionin e 7 dhe Yuki Tsunoda-n një rradhë më pas në të 9. Piloti i Mercedes, Kimi Antonelli u vendos mes tyre ndërsa Williams dhe Alex Albon kompletuan 10 vendet e para në rradhën e nisjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.