Nga Gazeta “SI”– I ndërtuar në shekujt XVII-XVIII, Hamami i Durrësit, një nga monumentet më të rralla të trashëgimisë osmane në Shqipëri, ka rihapur dyert për publikun pas një restaurimi të thelluar, që synon jo vetëm ruajtjen arkitekturore por edhe rijetësimin e tij si qendër kulturore bashkëkohore.
Kjo godinë historike, me statusin Monument Kulture i Kategorisë I, pësoi dëmtime të konsiderueshme gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, por falë ndërhyrjes së programit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Hamami ka rifituar dinjitetin e tij historik dhe funksional.
Restaurimi përfshiu punime në strukturat mbajtëse, fasadat dhe sipërfaqet e brendshme, por më e rëndësishmja është shtesa e komponentëve interpretues digjitalë që e kthejnë këtë banjë osmane në një hapësirë të gjallë, edukative dhe ndërvepruese për publikun. “EU4Culture” ka synuar të shpëtojë e restaurojë objekte të trashëgimisë kulturore në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti, ndër to edhe Hamamin e Durrësit, një nga vetëm pak shembujt e mbijetuar të arkitekturës publike të shekullit të 18-të.
Ndodhur në juglindje të qytetit mesjetar, Hamami paraqet një shembull të pastër të arkitekturës osmane, me qendër një sallë të mbuluar nga një kupolë sferike, që ngrihet deri në 5.8 metra lartësi dhe me 12 dritare të vogla për ndriçim natyror.

Sistemi i ngrohjes me avull përmes tubacioneve qeramike, që nisej nga furra në pjesën e pasme të ndërtesës, tregon për një teknologji të avancuar për kohën. Kjo godinë ka qenë e dëmtuar edhe më parë dhe është rikonstruktuar në vitin 1980, por ndërhyrja e fundit ka pasur një qasje më të kujdesshme ndaj autenticitetit të saj arkitektonik dhe historik.
Projekti parashikoi edhe vendosjen e pajisjeve interpretative si panele informuese, struktura të fërkimit prej tunxhi, mjete ndërvepruese që lidhin historinë e Hamamit me atë të banjave të tjera osmane në Shqipëri dhe rajon. Në faqen zyrtare të programit “EU4Culture” theksohet se rehabilitimi i këtij objekti është pjesë e qasjes së ashtuquajtur “trashëgimi e lidhur”, që synon të përfshijë vizitorin jo vetëm vizualisht, por edhe përmes përvojës së zgjeruar të dijes dhe ndjesisë.
Përveç punimeve të brendshme, janë vendosur sisteme të reja elektrike, ndriçim funksional dhe dekorativ, masa sigurie dhe mbikëqyrjeje, si dhe janë integruar shërbime të tjera ndihmëse që e lidhin Hamamin me pika të tjera të rëndësishme të trashëgimisë urbane si Torra Veneciane.

Rehabilitimi është menduar jo vetëm për të shpëtuar një objekt historik, por për ta kthyer atë në një destinacion tërheqës për turizmin kulturor, duke nxitur një model të qëndrueshëm zhvillimi që bashkon ruajtjen e identitetit historik me teknologjitë e reja dhe përfshirjen aktive të komunitetit dhe vizitorëve.
Sot, Hamami i Durrësit nuk është më një ndërtesë e heshtur e së shkuarës, por një hapësirë që flet me gjuhën e kohës, një udhëtim ndijor në historinë e jetës publike osmane dhe një ftesë për ta përjetuar trashëgiminë jo si relike, por si përvojë të gjallë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.