Analize

“Hallet” e Gjermanisë rrezikojnë eurozonën

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë u takuan ditën e sotme në Berlin për një samit përgatitor përpara mbledhjes së Këshillit Europian në fund të muajit. Por të dyja vendet treguan se vazhdojnë të kenë pikëpamje të ndryshme mbi reformën e eurozonës.

Në mbledhjen e Këshillit Europian më 28-29 qershor, vendet evropiane do të duhet të bien dakord mbi një plan ambicioz për eurozonën, por edhe për mbrojtjen dhe emigracionin. Megjithatë, kriza e paparë politike që ka pushtuar Gjermaninë kohët e fundit, duket se ka vënë në pikëpyetje të gjitha reformat ambicioze. "Ky është fundi i epokës së Merkelit, e cila bën gjithçka në momentin e fundit, nga frika e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë herë nuk do të funksionojë më ", tha një deputet gjerman, gjatë një seance të tensionuar në parliament.

Shqetësimet e mëdha mbi fluksin e migrantëve kanë fuqizuar forcat populiste në disa vende europiane, përfshirë Italinë dhe Austrinë, ku partitë e ekstremit të djathtë po ndajnë tanimë pushtetin. Në Gjermani, disa krime të profilit të lartë kanë nxitur zemërim publik ndaj emigrantëve. Ministri i Brendshëm ka qenë një nga kritikët më të ashpër të qëndrimit liberal të Merkel ndaj emigrantëve, duket thënë se mbi një milion azilkërkues janë pranuar në vend që nga viti 2015.

"Në thelb, ky është një skandal," tha ai, duke premtuar që ta ndryshonte njëherë e mirë këtë këtë praktikë.

Ndërkohë, zgjedhjet do të mbahen më 14 tetor në Bavari, kontrollin e të cilës e ka aleati historik i CDU-së, CSU-ja, duket se i kanë “hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit”. Për të siguruar fitoren e tyre, anëtarët e CSU-së po sfidojnë vazhdimisht Merkelin, veçanërisht për çështjen e emigracionit, duke shkuar aq larg sa kërcënojnë të largohen nga grupi parlamentar, vendim që do të sillte rrëzimin de facto të qeverisë aktuale.

Përgjigje e kufizuar nga Gjermania

Angela Merkel është zënë ngushtë. Franca po përpiqet të ndërtojë një buxhet reformues për eurozonën, por përgjigjja nga ana e Gjermanisë ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht e kufizuar. Një nga problemet e ngritura si nga Berlinmi ashtu dhe Parisi, është procesi i kontrollit të buxheteve kombëtare të menaxhuara nga Komisioni Europian. Që nga viti 2014, Juncker dhe komisioneri francez Pierre Moscovici kanë mbajtur një qëndrim më të butë se Komisioni i mëparshëm Europian ndaj vendeve që shpenzojnë më shumë, në mënyrë që të ruajnë mbështetjen e fuqive europiane brenda BE-së.

Por për Berlinin, ky nuk është një qendrim objektiv dhe Merkel planifikon t'ia besojë këtë rol mbikëqyrës Mekanizmit Evropian të Stabilitetit. Kjo do të ishte një përgjigje minimale ndaj ambicies së Francës për të trajtuar pabarazitë makroekonomike të eurozonës, duke promovuar transferimet e investimeve në vendet që u mungojnë më shumë, veçanërisht në Jug.

Franca rrit presionin për buxhetin e eurozonës

Disa javë përpara takimit mes Merkel dhe Macron, ministri francez i Ekonomisë deklaroi se eurozona nuk do të mbijetojë, nëse nuk ndërmerren reforma, duke rritur kështu presionin ndaj Gjermanisë. Gjermania nga ana tjetër, duket e gatshme për të përfunduar e vetme buxhetin evropian 2021-2027, deri në fund të vitit, duke lënë mënjanë Francën. Komisioni Europian ka paraqitur një propozim që secili vend anëtar të investojë 1.1% të GDP-së, masë që do të përfshinte rritjen e kontributeve nga vendet si Franca dhe Gjermania. Por ky propozim nuk është pritur aq mire nga qeveria franceze, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për politikën e përbashkët bujqësore.

Në mungesë të një buxheti të përbashkët të eurozonës, ministri i financave i Gjermanisë Olaf Scholz paraqiti kohët e fundit idenë e një sigurimi evropian për papunësinë. Në nivel makroekonomik, një propozim i tillë është i krahasueshëm me rolin e një buxheti të përbashkët, duke lejuar unionin të aprovojë një minimum rishpërndarjeje dhe duke lehtësuar kështu goditjet asimetrike. Por një propozim i tillë ka pak shanse për të korrur sukses për shkak të kufirit kohor. Ndërkohë gjatë takimit, Merkel dhe Macron treguan se nuk kanë pikëpamje dhe zgjidhje të përbashkët për sa i përket çështjeve ekonomike.

“Vetëm një mrekulli”

Merkel përballet tanimë me sfidën për të bindur qeveritë e BE-së të nënshkruajnë një plan të përbashkët për emigrantët. Vendet e BE-së qendrore dhe lindore si Hungaria dhe Polonia ose kanë refuzuar plotësisht ose kanë marrë më pak refugjatë se sa e parashikon sistemi i kuotave të BE-së. Pas takimit me Macron, Berlini po përgatitet për një tjetër takim midis Merkelit dhe liderëve të disa shteteve që ndodhen në frontin e krizës së emigrantëve.

Por do të ishte pothuajse një mrekulli nëse ajo do të dalë e fituar nga takimi i ardhshëm i BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë