I ftuar në Episodin 11 të podcast-it Epërsi, Rraman Hallaçi ka bërë një analizë të hollësishme të 26 javëve në Kategorinë Superiore. Traineri aktual i Gramshit në futbollin e femrave vlerëson kampionatin si një kompeticion të luftuar ku Egnatia me atë që po bën në dy vitet e fundit, ka zëvendësuar Skënderbeun në Kategorinë Superiore. Për 8 vite tek Partizani, ai ndjen keqardhje që kryeqytetasit janë në një situatë të tillë, për të cilën bën fajtor ish trainerin serb Veselinovic. Për Hallaçin, kolegu serb nuk u soll si një profesionist kur nisi të sulmojë skuadrën pas largimeve të lojtarëve në merkaton e Janarit.

Për të qëndruar në kryeqytet, ai flet për Tiranën ku vëren nxitimin e drejtuesve bardheblu për shkarkimin e Bledi Shkëmbit dhe kthimin e tij pas disa javësh duke mos i besuar as Gugash Maganit. Ish lojtari i të kuqve thotë se Presidentët e skuadrave shqiptare, shpesh mbajnë afër njerëz joprofesionistë me të cilët tentojnë të ndërtojnë skuadrat, duke humbur kohë dhe shpenzuar burime financiare të mëdha. Hallaçi këshillon që këta drejtues t’iu besojnë më shumë specialistëve vendas dhe si ilustrim sjell shembullin e Egnatias që po ndërton një cikël me Edlir Tetovën në stol.

Për të shpjeguar më mirë nxitimin dhe gabimet e Presidentëve shqiptarë kujton kohën e tij si asistent i Ernest Gjokës në krye të Kukësit që fitoi titullin në sezonin 2016-2017. Pjesëmarrës në turet paraeleminatore të Champions League, Kukësi u eleminua kur Pejic humbi një 11 metërsh dhe fati nuk ishte me skuadrën që drejtohej nga Gjoka. Pas asaj ndeshjeje, stafi teknik u shkarkua menjëherë si përgjegjës për eleminimin. Vendim që Hallaçi sot e konsideron një gafë, të cilën kur drejtuesit e kuptuan ishte vonë. Në fund ai tha dy fjalë edhe për Skënderbeun, situatën e të cilit e shpjegoi me mungesën e investimeve për shkak të mungesës së kualifikimit në Evropë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




