Një gol çdo ndeshje, edhe pak më tepër. Që prej janarit të 2020-ës, kur kaloi te Borusia Dortmund, Erling Haland ka shënuar 68 gola në 67 ndeshje. Një mesatare e jashtëzkonshme për një sulmues që sapo ka mbushur 21 vjeç dhe që vetëm mund të përmirësohet. Pyetja në këtë rast është një e vetme: dhe sa do të qëndrojë në Dortmund?
Me shumë mundësi, deri në verë, kur aktivizohet një klauzolë në kontratën e tij, që e lejon të largohet për 75 milionë euro (rreth 90 milionë, bashkë me bonuset). Borusia i ka duart të lidhura, nëse vetë lojtari vendos të largohet për një ofertë më të mirë. Klubi gjerman nuk mund ta ndalojë.

Këtë sezon Haland ka shënuar 11 gola në 8 ndeshje. Ka shënuar me kokë, edhe pse nuk është specialiteti i tij, me të majtën dhe me të djathtën. Muajt e fundit, në fund të çdo stërvitjeje, për t’u përmirësuar norvegjezi punon për goditjet me kokë dhe më të djathtën, bashkë me Humelsin. Ai po rritet dhe është e vështirë që sezonin e ri të luajë sërish në Bundesligë.
Për sulmuesin e ri po lëvizin klubet e mëdha, me Real Madrid në krte. Administratori i Dortmundit, Vatzke, është shprehur: “Nuk është e thënë që do të largohet. Të presim verën dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Çelsin e ka Erling, vetëm ai vendos. Sigurisht, është e vështirë ta mbajmë, por jo e pamundur. Edhe para klëtij sezoni të gjithë thoshin se do të ikte, por është me ne. Jemi të ndërgjegjshëm se, nëse Haland ikën, do të gjejmë një sulmues tjetër të nivelit botëror”.

Sipas “Sport1”, Dortmundi ka piketuar që tani lojtarët që mund të zëvendësojnë Haland dhe i pari në listë është Martial i Mançester Junajtid, të cilit i është mbyllur hapësira nga Ronaldo, Kavani dhe të tjerët. Vetëm se gjermanët nuk kanë në plan të paguajnë 50 milionë euro, sa kërkon Mançesteri. Ata japin deri në 40 milionë euro. Borusia pëlqen edhe 23-vjeçarin Dolberg dhe 21-vjeçarin Gouiri, të dy të Nisës, si dhe Noni Madueke të PSV-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




